Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë sot një paralajmërim të fortë.
Ai është shprehur se qeveria duhet të mbështesë qytetarët dhe bizneset që nuk po funksionojnë për shkak të masave të marra kundër koronavirusin dhe se duhet të ndalohen shpenzimet korruptive që paratë të shkojnë në ndihmë të atyre që kanë më shumë nevojë.
Më pas lideri demokrat theksoi se kjo qeveri ka humbur prej kohësh legjitimitetin dhe nëse nesër do të kishim zgjedhje në Shqipëri, do të pësonte disfatën më të thellë, një katastrofë elektorale.
“Nuk ka asnjë shans, nëse zgjedhjet bëhen nesër, PS për shkak të Edi Ramës dhe për shkak të keqmenaxhimit të gjithçkaje, mosmbajtjes së premtimeve, apo për pandeminë, do të ketë një katastrofë elektorale të paprecedent në 30 vite”, tha Basha.
Në një lidhje direkte me Abcnews, Basha tha se në kushte të tilla Qeveria duhet të heqë dorë nga shpenzimet e luksit, apo kontratat korruptive.
“Ekonomia duhet të mbështetet me subvencione, pasi ka një rënie të konsumit dhe mbyllje të shumë aktiviteteve.
Në vend që të veprohet që t´i shkohet në ndihmë fasonëve, ku janë të punësuar 70 mijë shqiptarë, Qeveria vijon me shpenzimet e luksit.
Fasoneritë duhet të mbyllen, në mënyrë që të mbyllen vatrat e infeksionit.
Ne e kemi kërkuar një masë të tillë, por ka rënë në vesh të shurdhët. Çfarë kanë bërë? Çuan inspektorë në fasoneri për të parë nëse respektohen distancat sociale apo jo dhe po i gjobisin fasoneritë, ndërkohë që ky biznes e ka pothuajse të pamundur të aplikojë masat e reja”, tha Basha.
Sipas tij, pikërisht nga fasoneritë, Kruja është një këmbanë alarmi sot lidhur me rastet me Covid-19.
“Qeveria nuk ju vjen në ndihmë njerëzve, po vijon shpenzimet e luksit dhe me tenderat korruptivë, që opozita i ka denoncuar”, tha Basha.