Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, i nisur në muajin mars të këtij viti, po shkon drejt përfundimit, ndërsa deri më tani ka sjellë në buxhetin e shtetit rreth 177 milionë euro të ardhura.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të kryejnë rivlerësimin e pronave të tyre deri më 31 dhjetor 2026, datë kur përfundon afati i zbatimit të këtij ligji. Përmes këtij procesi, pronarët kanë mundësinë të përditësojnë vlerën e pasurive të paluajtshme, duke e përafruar atë me çmimet reale të tregut. Rivlerësimi kryhet kundrejt një tatimi prej 5% mbi diferencën e vlerës së rivlerësuar me atë të regjistruar më parë.
Kjo procedurë është e vlefshme si për individët, ashtu edhe për bizneset që zotërojnë pasuri të paluajtshme. Ndërkohë, pas përfundimit të këtij procesi, nga 1 janari 2027, qytetarët që do të shesin pronat e tyre me një vlerë më të lartë se ajo e deklaruar në kartelën e pasurisë do t’i nënshtrohen tatimit prej 15% mbi fitimin e realizuar. Për këtë arsye, autoritetet tatimore u rikujtojnë pronarëve se kanë edhe pak kohë në dispozicion për të përfituar nga skema e rivlerësimit me normën tatimore 5%, përpara përfundimit të afatit ligjor.







