E teksa Shqipëria po kalon fundjavën në izolim ku askush nuk lejohet të dalë nga banesa, me përjashtim të personave që shkojnë në punë me autorizim, një lehtësim vjen për pensionistët të cilët do të lejohet deri në 11.00 të paradites së sotme të dalin për të marrë ajër jashtë banesave të tyre.
Lajmin e bëri me dije kryeministri Edi Rama ku më pas edhe Policia e Shtetit doli me deklaratë zyrtare në lidhje me atë që kjo kategori e shoqërisë duhet të ketë parasysh.
Uniformat blu bëjnë me dije se në rrugë do të jenë forca policore të cilat do të kujdesen që kjo liri dalje të bëhet në mënyrën e duhur dhe duke respektuar distancimin social.
Policia i bën thirrje të moshuarve, si një nga kategoritë më të riskuara nga COVID19, që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë.
Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi – punë – shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës.
Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore