Rudina Hajdari ka thyer më në fund heshtjen dhe ka dhënë vendimin e saj në lidhje me mandatin e deputetit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo ka zyrtarizuar qëndrimin e saj, duke vendosur të mos e djegë mandatin. Sipas saj, Parlamenti i jep oksigjen demokracisë.
“Unë mendoj që parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, i jep oksigjen partive politike. Është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Prandaj duke marrë parasysh që kjo është një përgjegjshmëri shumë e lartë, që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj që qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur, që do i bëja dhe shërbeja të ardhmes së Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Ndërsa mori shembull atë që ndodhi me deputetin demokrat Myslym Murrizi, i cili u shkarkua nga PD se nuk dorëzoi mandatin, deputetja i kujtoi Partisë Demokratike se kjo gjë ka ndodhur dy herë edhe me babain e saj Azem Hajdarin.
“Dua t’i kujtoj PD-së që nuk është hera e parë që përjashton anëtarë, ka ndodhur me tim atë, dy herë dhe më duhet të theksoj se ata janë penduar. Im atë është kryetari historik i PD-së. Ai është përjashtuar dy herë nga PD dhe PD-ja është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh. Unë nuk mund të ndjek një vendim kolegjial që shkon kundra frymës së Kushtetutës dhe interesit. Më vjen keq nëse zhgënjej partinë, por do të zgjedh interesin e Shqipërisë”, tha Rudina Hajdari.