30 prilli është afati i fundit për deklarimin e të ardhurave të 2019-s, për individët që i kanë ato më shumë se 2 milionë lekë në vit. Deri tani nuk ka njoftim për shtyrje të afatit të këtij deklarimi, sipas burimeve për Monitor nga Tatimet dhe Ministria e Financave.
Sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat, çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë në vit, është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.
Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.
Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë :
-Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
-Të ardhurat bruto nga dividenti
-Të ardhurat bruto nga qiraja
-Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit
-Të ardhura bruto nga interesat bankare
-Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme
-Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
-Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
-Fitimi kapitali nga dhurimi.
-Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
-Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart
Në vitin 2019 dorëzuan deklarata për të ardhurta mbi 2 milionë lekë të gjeneruar në 2018-n rreth 9 mijë persona, me rritje prej 13% në raport me vitin e mëparshëm, ndonëse në raport me totalin e të punësuarve në sektorin privat e shtetëror (rreth 650 mijë) numri është i papërfillshëm.
ÇFARE DUHET TE BEJNE TE DYPUNESUARIT
Ka dy kategori të dypunësuarsish, ata që e kalojnë kufirin e 2 milionë lekëve në vit dhe ata që nuk e kalojnë.
Ata që kanë më shumë se 2 milionë lekë në vit
Për individët që janë të dypunësuar dhe marrin më shumë se 2 milionë lekë në vit, ata duhet ta bëjnë deklarimin dhe njëkohësisht duhet të rillogarisin tatimin mbi të ardhurat që duhet të paguajnë shtesë, pasi ai duhet t’i deklarojë të ardhurta sikur i ka marrë nga një punëdhënës i vetëm. Kjo rrit tatimin që duhet paguar shtesë, pasi paga deri në 30 mijë lekë do tatohet vetëm një herë dhe për shumat mbi 150 mijë lekë (nga bashkimi i dy apo më shumë pagave), do paguhet 23%.
Sipas tatimeve Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit).
Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së mëposhtme :
Për shumën e pagave mujore deri 30,000 lekë tatimi është 0%
Për shumën e pagave mujore nga 30,001 lekë – 150,000 lekë tatimi është 13% e shumës mbi 30 000 lekë
Për shumën e pagave mujore nga 150,001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23% e shumës mbi 150,000 lekë
Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet.
Në kutinë 22 të deklaratës, individi do të shënojë shumën e tatimit të paguar dhe të mbajtur në burim nga cdo punëdhënës gjatë gjithë muajve të vitit.
Diferenca midis tatimit të llogaritur, të shënuar në kutinë 4 të deklaratës, me shumën e tatimit të paguar, të mbajtur në burim nga punëdhënësit, të shënuar në kutinë 22 të deklaratës, përfaqëson shumën e detyrimit që duhet të paguajë individi në administratën tatimore për llogari të të ardhurave të tij vjetore nga punësimet.
Shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se tatimi i mbajtur në burim dhe i paguar nga punëdhënësi për të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.
Në rastin e individëve, të cilët në asnjë muaj të vitit nuk kanë qenë të dypunësuar, shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, është gjithmonë e barabartë me tatimin e mbajtur në burim dhe të paguar nga punëdhënësi për pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit, të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.
Të dy punësuarit me më pak se 2 milionë lekë, do deklarojnë vitin e ardhshëm
Në 1 janar të këtij viti ka hyrë në fuqi ndryshimi në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, në bazë të së cilit, individët që janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës do të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave, edhe nëse ai nuk i kalojnë 2 milionë lekët në vit.
Ndryshimi përcakton që të gjithë individët, të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës, “deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin kur është rasti, tatimin e mbajtur në burim nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit”
Por tatimet thonë se duke qenë se ligji ka hyrë në fuqi këtë vit, “Hyrja në fuqi e bashkimit të pagave për dy të punësuarit ka efekt për të ardhurat e siguruara gjatë 2020, që deklarohen dhe paguhen deri me 30 prill 2021”.
Gjithsesi, individët duhet të ruajnë çdo muaj një pjesë të pagës që gjatë këtij viti, në mënyrë që të mos rëndohen kur do të duhet ta paguajnë njeherësh tatimin shtesë në fillim të vitin e ardhshëm.
Psh, një individ që ka dy paga mujore nga 50 mijë lekë, aktualisht paguan në vit si tatim mbi të ardhurat 62,400 lekë në total (për të dy pagat, llogaritet vetëm 13% e shumës mbi 30 mijë lekë). Deri në 30 prill të vitit të ardhshëm, kur të bëhet deklarimi i të ardhurave dhe rillogaritja, ai do të duhet të paguajë shtesë në total edhe 46,800 lekë (pasi tatimi do të llogaritet mbi një pagë të vetme prej 100 mijë lekësh dhe do të rezultonte në total 109,200 lekë për gjithë vitin). Shuma e paguar do të rritet në këtë rast me 42%.
Revista Monitor