Gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha në një lidhje me Skype në Abc News deklaroi se është ulur “krimi i rrugës”, si vjedhjet dhe grabitjet, por bandat e trafikimit të lëndëve narkotike kanë vijuar me aktivitetin e tyre.
Hoxha u shpreh se në këtë periudhë trafikimi bëhet përmes ujit, pasi bllokimi i rrugëve dhe avionëve, u ka sjellë vështirësi. Më tej Hoxha shton se pandemia ka sjellë rritjen e çmimit të të lëndëve narkotike, gjithsesi kjo gjë nuk i ndalon përdoruesit të blejnë këtë substancë, pasi kanë nevojë për të po aq sa kemi ne të tjerët për ushqim dhe ilaçe.
Deklarata e Hoxhës:
“Shikoj nga autoritetet një mos interesim shumë të madh për të mbrojtur policinë. Ne shikojmë ushtrinë, por ata shërbejnë vetëm 4 orë dhe janë të pajisur mirë. Dhe policia shërben 8-12 orë, është në gatishmëri dhe ato që nuk janë përgjegjësi e saj po mundohet ti bëjë. Janë infektuar, sot u raportua në Has. Uroj që kjo të mos ndodh edhe në qytetet e mëdha të vendit. Realisht, ka pasur një rënie të ndjeshme të krimit. Kemi pasur disa operacione të suksesshme, si arrestimi i vëllezërve Çala. Ky është një sukses i forcës operacionale të policisë. Ka rënë numri i vjedhjeve, krimeve të rrugës.
Por kemi një natyrë tjetër krimi që nuk ka munguar. Nuk kanë munguar personat e arrestuar në Durrës, Berat, ku janë kapur qytetarët që përfitonin edhe nga kjo situatë për të trafikuar lëndë narkotike, kanabis por edhe kokainë. Bota e krimit është përpjekur të vijojë aktivitetin. Përdoruesit kanë nevojë për këtë substancë po aq sa kemi ne të tjetër për ushqim dhe ilaçe. Çmimet në atë qe ne e quajmë tregun e brendshëm, kanë qenë të qëndrueshme. Grupet kriminale kanë pasur stok të kokainë dhe kanabisit dhe kjo ka bërë që çmimi të jetë i palëvizshëm.
Ndërsa me kalimin e javës së tretë çmimi ka lëvizur që do të thotë se këto lënda narkotitike do të jenë të vështira për tu gjetur nga përdoruesit. Kam mundur të kontaktoj gjatë këtyre javëve dhe më rezulton se grupet shqiptare në vendet e BE kanë vazhduar aktivitetin e tyre. Nuk ka qenë e vështirë për këto grupe të sigurojnë kokainën. Ky është një lloj aktivitet që nuk është ndaluar dhe porositë që janë dhënë janë nisur nga Ekuadori kanë ardhur dhe mund të jenë duke ardhur drejt Evropës. problemi është lëvizja dhe transporti i parave pasi me bllokimin e lëvizjes së mjeteve të transportit, tashmë këto grupe e kanë të vështirë të lëvizin paratë”, shprehet Hoxha.