Nga Aurora Sulce
Në vitin famëkeq 1997, unë isha vetëm 17 vjeçe dhe ndiqja gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Janë të pashlyera në kujtesën time frika dhe pasiguria e atyre ditëve, të shtënat e armëve, sirenat që kumbonin, flakët dhe kaosi që pushtoi jetën e njerëzve. Janë kujtime që nuk do të doja t’i përjetoja më kurrë dhe pikërisht për këtë arsye, më bëjnë ta kundërshtoj me forcë çdo formë dhune.
Asnjë arsye, asnjë pakënaqësi dhe asnjë bindje politike nuk mund ta justifikojë atë që po ndodh ditët e fundit në Tiranë. Protesta është e drejtë, por dhuna nuk është.
Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë për atë që mendon, për atë që ndien, për atë që kërkon të ndryshojë. Protesta është një e drejtë themelore dhe cdokush që e mendon se duhet ta ushtrojë, është i lirë ta bëjë. Por askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë fizike të të tjerëve, të shkatërrojë pronën e tyre. Pasi, pas çdo biznesi të dëmtuar apo të shkatërruar ka njerëz dhe familje që punojnë çdo ditë për të siguruar të ardhurat, me të cilat jetojnë.
Pas çdo dere të mbyllur mund të ketë paga që nuk do të jepen, detyrime që nuk do të paguhen dhe familje që do ta ndiejnë drejtpërdrejt pasojën e dhunës. E drejta e tyre për të punuar, për të mbrojtur pronën dhe për të jetuar të sigurt është po aq e shenjtë sa e drejta e kujtdo tjetër për të protestuar.
Duhet kuptuar që shkatërrimi i filialeve të bankave është shumë shqetësues, pasi dëmi nuk kufizohet te godina apo institucioni i sulmuar. Ku do t’i marrim pagat, ku do t’i paguajmë faturat dhe si do të vazhdojmë jetën tonë të përditshme?
Dëmi që sot mund t’i duket dikujt si një akt kundërshtimi ndaj një institucioni apo një sistemi, nesër mund të kthehet në një kosto që e paguajmë të gjithë. Më pak biznese do të thotë më pak vende pune, më pak para për familjet, më pak konsum, më pak aktivitet ekonomik dhe më pak të ardhura për buxhetin e shtetit. Në fund të këtij zinxhiri ka më pak mundësi, më pak shërbime dhe më shumë varfëri. Ekonomia na përket të gjithëve, nuk u përket vetëm bizneseve dhe institucioneve financiare. Ekonomia është jeta jonë e përditshme.
Ekonomi është dhe paga e një punonjësi, dyqani i lagjes, fatura e një familjeje, investimi i dikujt që ka kursyer për vite, është dhe mundësia e një të riu për të gjetur punë në vendin e tij. Prandaj, kur dëmtojmë ekonominë, nuk dëmtojmë vetëm një subjekt apo një institucion. Dëmtojmë mundësitë tona për të jetuar më mirë.
Me këtë nuk po them mos protestoni. Po them, mos shkatërroni. Të protestojnë, të kërkojnë llogari, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë ndryshim, por pa sulmuar bizneset, pa cenuar pronën dhe pa rrezikuar sigurinë e qytetarëve të tjerë. Nuk ka asnjë kauzë që fiton, kur qytetarët humbasin sigurinë, bizneset shkatërrohen dhe ekonomia dëmtohet. Asgjë e mirë nuk lind nga dhuna!








