Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sërish në lidhje me shqiptarët që janë ende të bllokuar në dogana dhe nuk mund të hyjnë në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë një sjellje e tillë është papranueshme edhe kriminale.
Më tej kreu i PD kërkon që ata të pranohen sa më shpejt në Shqipëri, duke marrë parasysh që disa prej tyre kanë shfaqur disa probleme shëndetësore.
Postimi i plotë i Bashës:
“Është e pafalshme dhe çnjerëzore që prej 4 ditësh dhjetëra nga bashkëqytetarët tanë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjëanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe që një prokurori me një fije integritet nuk mund të mos e hetojë.
I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit. Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre.
Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale.