Mes disa komplikacionesh që shenjojnë një person të prekur nga COVID-19 është edhe mungesa e nuhatjes. Prej disa javësh ka pasur raportime që Covid-19 mund të bëjë që njerëzit të humbin nuhatjen.
Këtë javë, ideja fitoi besueshmëri, kur Shoqata Britanike e Otorhino-laringologjisë sugjeroi që e ashtuquajtura anosmia mund të ishte një simptomë e dobishme për depistimin e virusit, bazuar në raportet nga Koreja e Jugut, Kina dhe Italia.
Të hënën, zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetit gjithashtu thanë që po shikonin edhe lidhjen e mundshme.
“Ne po marrim të dhëna në disa vende dhe po shohim rastet që janë raportuar tashmë, për të kuptuar nëse kjo është një veçori e zakonshme”, tha Maria Van Kerkhove, kryetare e njësisë së sëmundjeve dhe zoonozave në zhvillim, në OBSH.