Presidenti Ilir Meta ka apeluar qytetarët shqiptarë që të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektojnë urdhrin për kufizimin e lëvizjeve, në këto momente të vështira të përhapjes së virusit COVID -19.
“Cdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale për ta dhe të afërmit e tyre. Ne po e shtohim çfarë po ndodh në Italinë fqinje, që është një vend shumë më i zhvilluar. Nuk kemi nevojë të bëjmë eksperimente. Është e nevojshme të respektohen vendimet e autoriteteve dhe kufizimet që janë vendosur. Ato nuk janë privim, por mbrojtje e domosdoshme në këto momente kritike”, u shpreh ai.
Presidenti vlerësoi si një masë të nevojshme edhe daljen në rrugë të ushtrisë. Sipas tij, duhet mobilizim I të gjitha strukturave të shtetit. “Edhe forcat e policisë dhe ushtrisë janë në funksion të garantimit të një rregulli dhe disipline, që i mbron qytetarët nga pakujdesia dhe njëkohësisht është një mundësi për të dhënë ndihmë dhe kontribut në çdo rast të domosdoshëm që do të paraqitet. Kjo situatë nuk mund të përballohet vetëm me mjekë, kërkon një angazhim të të gjitha strukturave.
Kjo është një krizë e re, jo vetëm për ne, por edhe për të tjerët. Kanë ndryshuar vazhdimisht rekomandimet e OBSH-së dhe qasja e vendeve të ndryshme. Duhet solidariteti i të gjithëve”, deklaroi presidenti.
Këto deklarata Kreu i Shtetit i bëri nga Katedralia e Shën Palit, ku dhuroi gjak për fëmijët talasemikë.