Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, deklaroi se pas takimeve me odat dhe shoqatat e ndryshme të ndërmarrjeve vendore ka vendosur që nga data 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina.
Më tej Kurti shprehet se pas kësaj kërkojnë nga Serbia të ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë, zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.
“BE ta vlerësojë lart heqjen e tarifës duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga data 15 qershor do ta kthejë tarifën, deri në zbatimin e reciprocitetit”, theksoi Kurti.
“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që prodhohen nga arritja e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar dhe ekonomik instalohet pas 15 qershorit”, ka thënë Kryeministri i Kosovës.
Kurtit i ishte lënë afat nga SHBA deri në fundjavë që të hiqte taksën, ndryshe do kishte pasoja serioze. Më herët Sekretari i Shtetit Michael Pompeo, i bëri thirrje Kosovës të heqë tarifat ndaj mallrave serbe. Sekretari Pompeo pret që Kosova të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që popujt e të dy vendeve të kenë përfitimet maksimale ekonomike dhe tregëtare, një hap ky jetik për të rifilluar bisedimet për normalizmimin e përgjithshëm të marrëdhënieve.