Autoriteti Portual i Durrësit njofton se si pasojë e motit të keq, janë pezulluar dy udhëtime nga Durrësi për në Bari këtë mbrëmje. APD sqaron qytetarët se sot është bërë një udhëtim i një trageti nga Durrësi në Ankona. Bëhet me dije se si pasojë e motit të keq, është mbyllur Porti në Bari.
Njoftimi i Autoritetit Portual Durrës:
Njoftim mbi pezullimin e përkohshëm të lundrimeve drejt Portit të Barit?
Si pasojë e mbylljes së përkohëshme të Portit të Barit, për shkak të situatës së motit, ju bëjmë me dije se tragetet e parashikuara për t’u nisur mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit, pezullojnë përkohësisht lundrimin drejt këtij Porti.
Konkretisht:
Trageti “Bari”, i linjës Durrës-Bari;
Trageti “AF Marina”, i linjës Durrës-Bari; parashikuar për t’u nisur nga Porti i Durrësit rreth orës 23:00 të mbrëmjes së sotme, kanë anulluar lundrimin, si pasojë e situatës së motit. Agjencitë lundrimore kanë bërë njoftimin e të gjithë pasagjerëve për këto ndryshime, deri në një njoftim të dytë për rikthimin në normalitet.
Ndërkohë, trageti i linjës Durrës-Ankona është nisur pa problem drejt destinacionit, sot në orën 17:00, pasi situata në këtë Port paraqitet më e qetë.
Porti i Durrësit kërkon mirëkuptimin e të gjithë udhëtarëve, për vonesat e krijuara, duke siguruar se gjithçka është në funksion të sigurisë së tyre të udhëtimit.
#MaritimeAlbania
Drejtoria e Përgjithshme Detare
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ndërkohë, në vend rikthehet i ftohti polar. Në qarqet si Korçë, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Tiranë kanë nisur reshjet e dëborës që prej orëve të para të ditës së sotme. Në Tiranë është zbardhur nga dëbora mali i Dajtit. Që nga dita e sotme, temperaturat minimale në vendet malore do të shkojnë deri në -10 gradë, ndërsa ato maksimale do të arrijnë deri në 11 gradë.