Në rrethana misterioze ka ndodhur vdekja e 28-vjeçarit Besnik Kokonozi. Ndërkohë, për rastin në fjalë mjeku Bashkim Vasku i spitalit të Librazhdit tregon se pacienti u paraqit në spital rreth orës 19:15, me skuqje fyti dhe temperaturë 39. Më pas, mjeku tregon se iu dha një medikament për uljen e temperaturës dhe pasi temperatura i është ulur, ka ikur për në shtëpi.
Po më pas u njoftua se rreth mesnatës temperatura i filloi përsëri t’i ngrihet dhe një ambulancë u nis drejt Përrenjasit, por 28-vjeçari kishte vdekur.
Vasku thotë se veç temperaturës dhe skuqjes së fytit nuk ka vërejtur ndonjë sëmundje tjetër, vetëm nëse ka pësuar ndonjë komplikacion prej temperaturës apo gjendjes virale.
“Rasti u paraqit në orën 19:15 me skuqje të fytit me temperaturë 39. Aplikuam një medikament për rënien e temperaturës. Më pas u njoftuam se gjendja ishte rënduar dhe konstatuam që ka ndërruar jetë. Përveç asaj skuqjes që pamë dhe gjendjes virale duhet të ketë patur ndonjë problem tjetër. Nuk konstatuam gjë tjetër nga ai. Temperatura i ra dhe në orën 12:00 i filloi prapë. Nuk e di mori mjekimet që mori apo jo, por që për temperaturën do ketë përdorur. Do të ketë pasur komplikacion, është rasti i rrallë por ne nuk konstatuam gjë tjetër. Ishte një skuqje e fytit dhe temperaturë 39, kaq. Si gjendje ishte mirë por virozë kishte, jo grip.”- tha mjeku Bashkim Vasku për News24.