Ka rënë në pranga një nga autorët e grabitjes dhe më pas plagosjes së ciftit të bashkëshortëve Petrit dhe Afërdita Laze, ngjarje kjo e ndodhur më 19 janar në zonën e Alliasit në Tiranë.
Mësohet se i arrestuari është 28-vjecari Fatjon Mërtënika, me precedent të mëparshëm penalë.
Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim dhe një tjetër autor të përfshirë, shtetasin Markelian Cungu.
Të dy të rinjtë kanë qenë të dënuar më herët për vjedhje dhe trafik lëndësh narkotike.
Petrit dhe Afërdisa Laze kishin në pronësi një furrë buke në katin e parë të godinës ku banonin.
Kujtojmë se dy persona të maskuar janë futur mbrëmjen e 19 janarit rreth orës 21:40 në shtëpinë e tyre, me qëllim grabitjen e lekëvë, por pasi janë ndeshur me të zotin e shtëpisë Petrit Laze, e kanë plagosur atë dhe bashkëshorten e tij.
E gjitha skena ka ndodhur në prani të vajzës 17- vjeçare të çiftit.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Finalizohet operacioni policor “Mjegulla”. Zbardhet ngjarja e ndodhur në Allias, Tiranë.
Arrestohet njëri nga autorët e ngjarjes, si dhe shpallet në kërkim autori tjetër, të dy me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe të vjedhjes. Grupi hetimor ka siguruar prova shkencore për autorësinë e kësaj ngjarjeje.
Gjenden dhe sekuestrohen edhe dy armët e dyshuara të përdorura gjatë tentativës për grabitje, municion luftarak, maskë e sende të tjera. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 19.01.2020, rreth orës 21:35, në rrugën “Njazi Meka” Allias, në banesën e shtetasit P. L., ku dy shtetas të maskuar tentuan të vidhnin me armë sende me vlerë dhe për pasojë mbetën të plagosur rëndë të zotët e banesës, çifti P. L. dhe A. L., Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i vlerësimit maksimal të kësaj ngjarjeje, punës profesionale operative dhe hetimore, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur sigurimi i informacioneve dhe provave, të cilat çuan në zbardhjen dhe dokumentimin me prova shkencore të kësaj ngjarjeje. Bazuar mbi provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Komisariatin e Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, bëri të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor “Mjegulla”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit: F. M., 28 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit M. C., si bashkautor në këtë ngjarje, person me precedent kriminal, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja”. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur të gjejnë të fshehura rreth një kilometër larg banesës që tentuan të vidhnin, dy armët e zjarrit, konkretisht një kallashnikov dhe një pistoletë, që dyshohet se i kanë përdorur autorët mbrëmjen e datës 19 janar 2020.
Gjithashtu, së bashku me armët e zjarrit, Policia gjeti të fshehura një maskë, municion luftarak, fasheta plastike e sende të tjera. Vijon puna për kapjen e bashkautorit, i cili gjatë operacionit nuk është gjetur në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me armë, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, me pasoje plagosjen e rendë të dy shtetasve dhe “Armëmbajtja pa leje”, të cilat parashikojnë dënimin deri në 15 vite burgim.