Në kuadër të operacionit të koduar “Bianco”, policia e Vlorës ka arrestuar 47-vjecarin Bardhosh Mino (Lytaj), i cili ishte shpallur në kërkim në shtator të 2019 nga shteti grek.
Sipas njoftimit të uniformave blu, mbi të arrestuarin rëndojnë akuzat Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim’, ‘Grabitje në bashkëpunim’, ‘Armëmbajtje pa leje’, ‘Përdorim i paligjshëm i armës’, ‘Zotërim dhe transportim i një sasie të madhe të lëndëve narkotike’, dhe ‘Falsifikim’.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Kapet i kërkuari për disa vepra penale në shtetin Grek.
Në zbatimin e planit të masave për kapjen e personave në kerkim, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, Sektori i Hetimit te Krimeve në bashkëpunim me Forcat Operacionale në DVP Vlorë, kanë finalizuar operacionin “Bianco” mbi bazën e të cilit është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
B.M (L), 47 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në Shtator të vitit 2019, pasi Prokuroria Vlorë ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal nr.196, datë 06.08.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, mbështetur edhe nga të dhënat e dërguara nga shteti Grek, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale:
“Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”, “Grabitje në bashkëpunim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Përdorim i paligjshëm i armës”, “Zotërim dhe transportim i një sasie të madhe të lëndëve narkotike”, dhe “Falsifikim”, të parashikuara sipas kodit Penal të shtetit Grek.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Vlorës për veprime të mëtejshme.