Kryeministri Edi Rama, në përfundim të punimeve në një pallat në Durrës, është pritur nga dhjetëra qytetarë, të cilët i kanë shprehur shqetësimet e tyre. Një zonjë para kreut të qeverisë denoncoi se i janë vjedhur banesat e ndërsa tha se është e shqetësuar për faktin që nuk kanë nisur punimet në pallatin e saj. Në fund të bisedës ka pasur edhe një batutë nga ana e Ramës, për shkak të përgjigjes së qytetares e cila i kërkoi kryeministrit që të mos e krahasonte Shqipërinë me një vend të pazhvilluar si Italia.
Qytetarja: Zoti kryeministër banoj në pallatin prapa që është në gjendje katastrofë. Deri më tani nuk ka filluar asgjë. Në pallatin tonë janë futur edhe koshat e rrugëve brenda. Po na vidhen apartamentet, janë vjedhur të gjitha instalimet, nuk kemi askënd që ruan objektin.
Rama: E para mos fol pa lidhje…
Qytetarja: Unë flas pa lidhje…?! Me fakte konkrete
Rama: Kur thua nuk ka filluar asgjë kur këtu përballë që po mbaron, si këtu kanë filluar në shumë vende të tjera.
Qytetarja: Flasim për personale
Rama: Mos thuaj që nuk ka filluar asgjë. Kanë filluar shumë dhe nuk bëhen të gjithë përnjëherë. Nuk kemi ne aq njerëz dhe aq mundësi sepse nuk i ka askush në botë saç janë apartamente. Ne gjërat do ti bëjmë me radhë. Ti ku rri tani?
Qytetarja: Unë rri në plazh në shtëpi me qira.
Rama: Qiranë kush ta paguan?
Qytetarja: Pjesërisht shteti, diferencën vetë
Rama: Bravo, rri atje dhe prit që të vijë radha që të rregullohet apartamenti
Qytetarja: Po për faktin që na vidhet apartamenti.
Rama: Për faktin do merret firma e ndërtimet do të vërë të gjitha instalimet, do ti bëjë gjërat si duhet.
Qytetarja: Po na vidhen apartamentet për ditë, nuk janë dëmtuar nga tërmeti.
Rama: Të lutem shumë lëri këto po vidhen apartamentet
Qytetarja: Po po vidhen pra
Rama: Fol për veten tënde
Qytetarja: Për veten time po flas, instalimet elektrike janë shkulur
Rama: Instalimet elektrike do ti vendosë ndërtuesi, ti s’ke lidhje fare.
Qytetarja: Po vidhen instalimet, nuk duhet të një roje?
Rama: Jo, instalimet elektrike ti do ti gjesh kur të vish në shpi. Çfarë problemi ke?
Qytetarja: Po kam problemin se nuk ruhet objekti, unë kam gjithë pasurinë e jetës aty brenda.
Rama: Instalimet do të vendosen, çfarë po më thoni tani?
Qytetarja: Nuk ka Security?
Rama: O zot
Qytetarja: Dua një zgjidhje imediate
Rama: Zgjidhje imediate nuk ka, zgjidhja do kohën e vet.
Qytetarja: Ka pse nuk ka. Ne kemi folur me ndërtuesin, i cili është dakord të fillojë ndërtimet, por thotë se kemi ngërç.
Rama: Ndërtuesi nuk do të fillojë punën pa na sjellë projektin që është sipas standardeve. Përshpejtimin ja kërkojmë ne ndërtuesit. Ti mos hajde na thuaj çfarë thotë ndërtuesi, po thoi ndërtuesit bëjë projektin siç duhet.
Qytetarja: Jemi në hall të madh. Ne duam zgjidhje. Ne dëgjojmë lajme, flisni për Tiranën, për Durrësin nuk po dëgjojmë asgjë
Rama: Moj zonjë çfarë do të dëgjosh, Durrësin ja ku e ke.
Qytetarja: Ai është pallati i ri kryeministër, ndoshta ai i ka problematikat shumë më të vogla se i joni.
Rama: Si ai dhe si shumë të tjerë janë duke u meremetuar. Unë nuk e kuptoj çfarë je duke kërkuar. Shkoni pak në Itali dhe shikoni ku janë ata…
Qytetarja: Po pse krahasosh me një vend që nuk ka vazhduar kryeministër, duhet të krahasoheni me një vend që ka bërë progres, që ka ecur më shpejt se Italia.
Rama: Mos krahasohemi me Italinë… a na fal që të krahasuam me Italinë se jeni më përpara.