Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka mbajtur një fjalë të gjatë duke dhënë disa mesazhe për deputetët. Në fjalën e tij Ruçi tregoi objektivat e këtij sesioni parlamentar, ku shtoi se do përfundohet Reforma Zgjedhore dhe objektiv është hapja e negociatave me Bashkimin Evropian.
Ruçi kujtoi dhe 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar, ku shtoi se Kongresi i Lushnjës ishte një akt shumë i rëndësishëm historik. Më tej shtoi se në javën e parë të muajit shkurt presidenti i parlamentit europian do të vizitojë Shqipërinë e tha se ky sesion duhet dhe do të jetë sesioni i punëve të mbaruara. Në fjalën e tij Gramoz Ruçi, listoi dhe objektivat që duhet të përmbushen në këtë sesion deri në verë.
“Çelja e negociatave për anëtarësim para majit 2020. Do të rishikojmë ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit, do të rrisim transparencën dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile. Përfundimi i Reformës Zgjedhore pas konsesusit të arritur me opozitën. Gjatë sesionit të ri do të përfundojë ngritja e të gjithë organeve të drejtësisë. Kuvendi do punojë që sistemi i drejtësisë që mos grabisë qytetarët por të jetë në shërbim të tyre.
Gjatë këtij sesioni do rishikojmë plotësimin dhe do hartojmë ligje të reja për përballimin e fatkeqësive natyrore si zjarret, përmbytjet, edukimin me kushtet antisizmike. Nuk mund të parandalojmë dukuritë natyrore por mund të minimizojmë rreziqet dhe dëmet prej tyre. Sistemi i ri i IT dhe votimit do fillojë të zbatohet dhe ofron mundësi që deputetët të njihen online me materialet që diskutohen në Kuvend. Kjo do të rrisë edhe aksesin e deputetëve në Kuvend“, u shpreh ndër të tjera Gramoz Ruçi.