Janë zbardhur detaje të reja nga zjarri i cili ka rënë në orët e para të mesnatës në Spitalin e Durrësit. Nga burimet paraprake, zjarri dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një shkëndijë elektrike, duke shkaktuar panik të madh te pacientët.
Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani, tha për BW se zjarri ka përfshirë kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë deri në katin e katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji.
Raportohet se disa pacientë kanë pasur probleme me asfiksinë nga tymi i dendur. Është bërë e mundur evakuimi i gjithë pacientëve të neurologjisë dhe kirurgjisë, ndërsa 5 prej tyre janë dërguar në Tiranë, pasi kishin nevojë për oksigjenim.
“Zjarri përfshiu kabinën kryesore të energjisë elektrike dhe rrjetin elektrik në gjysmën e spitalit nga kati i parë në të katërt, duke bërë që gjysma e spitalit të mbetej pa energji. Të gjithë pacientët e neurologjisë, kirurgjisë, janë zhvendosur. Ndërsa 5 qe kërkonin oksigjenim janë dërguar në Tiranë.” Shprehet Drejtoresha e Spitalit, Nadire Jani.
Lajmërimi i parë erdhi në 00:20, ndërkohë që shkaktoi shumë panik te pacientët dhe të afërmit e tyre që ishin në spital”, tha ndër të tjera drejtoresha e Spitalit.