11:53 – Protestuesit janë tërhequr nga hyrja e Kryeministrisë, disa prej tyre të lënduar, pasi policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të tyre. Ata u përpoqën të futen brenda ambienteve të Kryeministrisë duke tentuar të prishin skelën që rrethon hyrjen si dhe shembjen e derës kryesore me mjete të ndryshme.
Gazetari i A2 CNN Julian Kasapi raporton se edhe 4 policë janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa protestuesit nga larg po gjuajnë edhe me gurë drejt Kryeministrisë, ndërsa efektivët e gardës i përgjigjen me ujë me presion.
11:30 – Është tensionuar protesta e thirrur nga opozita, me protestuesit që kanë çarë rrethimin e policisë dhe kanë ngjitur shkallët e Kryeministrisë, duke grisur edhe mbulesën e skelës në hyrje të policisë.
Nuk kanë munguar edhe shashkat dhe flakët, ndërsa protestuesit janë përpjekur të shkatërrojnë skelën që është vendosur në derën kryesore të Kryeministrisë.
11:00 – Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin para Kryeministrisë, në protestën e thirrur nga opozita shqiptare. Me ta janë bashkuar edhe liderët kryesorë politikë të opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish-Kryeministri Berisha, Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe të tjerë, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të afrohen, duke marshuar nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë.
Në një prononcim për gazetarët, Berisha tha se vlonjatët do të kërkojnë arrestimin e Edi Ramës. “Po përdhos çështjen e flamurit, pasi po bën një antimiting në Vlorë. Ne nuk flasim, dhe do të bëjmë çfarë bën populli. Ai është monarku absolut i Shqipërisë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama është në Vlorë, për nismën “Bashkinë që Duam”, dhe prej andej thumboi opozitën.
Marre nga: A2 CNN.