Bashkia Vorë ka përgatitur projektin për rehabilitimin e Rrugës Industriale, një aks i rëndësishëm për qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë dhe aksesin e bizneseve në zonë.
Rruga shtrihet paralelisht me autostradën Tiranë–Durrës, nga rrethrrotullimi i Vorës deri te Ura e Bërxullit, në një gjatësi prej afro 3,9 kilometrash.
Projekti parashikon riparimin dhe rindërtimin e shtresave asfaltike, rehabilitimin e trotuareve, krijimin e korsive të dedikuara për biçikletat, si dhe përmirësimin e sistemit të kullimit të ujërave të shiut.
Ndërhyrjet do të përfshijnë gjithashtu zëvendësimin e ndriçuesve ekzistues me teknologji LED dhe përmirësimin e sinjalistikës rrugore.
Sipas projektit teknik, gjurma ekzistuese do të ruhet në pjesën më të madhe, për të kufizuar ndërhyrjet në pronat dhe objektet përreth. Investimi synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të lehtësojë lëvizjen në një zonë ku janë të përqendruara biznese, magazina dhe aktivitete industriale.







