Një legjendë e Tiranës dhe Kombëtares ka një gjuhë të mprehtë kur flet për problemet e futbollit. Madje, edhe djegëse kur bëhet fjalë për një event bamirësie, ku teksa nuk i mungon thirrja për pjesëmarrje, kritikon organizatorët për lënien jashtë të atyre që garantojnë mbushjen e impiantit, si Demollari, Ruci, Vata, Muça etj.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Agustin Kola shprehet se do të blejë pesë bileta, edhe pse nuk preferon të jetë në impiant. “Po ndonjë për të përfaqësuar Kosovën që pasi u krijua zyrtarisht si shtet, pse nuk ka marrë? Apo prej frikës nga Vuçiç?”, kritikon ndër të tjera Kola. Sa i përket futbollit shqiptar, thekson se privatizimi do të jetë shpëtimi i krizës në Shqipëri dhe se Tirana është për titull.
Çfarë note do t’i vinit kampionatit shqiptar deri tani?
Nuk po vendos notë. Më pëlqen fakti se nuk ka më ekipe shumë të mëdha, me diferencë si Korça në vitet e fundit. Rivaliteti mes Partizanit, Tiranës, Kukësit apo edhe Bylisit rrit bukurinë e kampionatit.
Në 2020 elita e futbollit shqiptar vuan ende për pagat. Pse?
Unë nuk u vë shumë faj klubeve. E përsëris që në Shqipëri nuk kemi akoma profesionalizëm dhe kjo ndodh sepse klubet nuk janë private. Federata është vetëm organizatorja e kampionatit, por shteti duhet të privatizojë çdo klub. Le t’ua japë të gjithë presidentëve, siç kanë dhënë edhe tokat me 5 euro/metër për bizneset.
Të premten do të luhet ndeshja e bamirësisë…
Mora vesh se e organizon dikush, por s’e di është shoqatë a sindikatë.
Është Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë…
Kush është? Andi? Se kështu e mora vesh. Dëgjoni… Më pyesin nëse do të luaj dhe unë po ngre pyetjen: Lila ka luajtur me Baxhon që do të jetë?
Lila është president i sindikatës dhe s’e ka futur veten…
Nuk do të jetë sepse s’i punon gjuri. Ajo që dua të them është se kur bëhen të tilla organizime, mblidhen të gjithë dhe nuk bëhen dallime të vjetër apo të rinj. Ju them me bindje që nëse do të merrnin Sul Demollarin, do të vinin 1000 vetë. Po të merrnin Vasil Rucin, do të vijnë edhe 1000 andej nga Vlora. 1000 lebër, se nuk ofendohen nëse u them në origjinë, pasi e duan futbollin. Po të merrnin Çim Muçën apo cilindo nga të vjetrit, do ta kishin të garantuar që mbushej stadiumi plot. E nga 5 apo dhjetë mijë që është bileta, do të bënin bamirësi disa miliona më shumë. Andi është shumë djalë i mirë dhe di që është edhe fetar, por më duket se meqë është çun i mirë, ka krijuar një sindikatë dhe nuk e di nëse është e tillë apo ndonjë shoqatë si puna e të përndjekurve politikë. Edhe atje, asnjë s’ka bërë burg për politikë, por për hajdutë xhepash dhe i kanë vënë në krye.
Kundër listës së lojtarëve ka qenë edhe Rudi Vata…
Kam qenë dhe jam kundër atyre që ka thënë Rudi për çdo gjë që ka folur deri më sot. Mirëpo ka pasur shiritin e kapitenit, ndaj duhej thirrur dhe respektuar. Është detyrë! Ka të drejtë kur thotë që është bërë listë nga qokaxhinjtë, por nuk flas për Vatën si lojtar e për të tjerat. Brezi i 2016-ës ka bërë atë që nuk e arriti askush me Shqipërinë. Ka merita të mëdha. Por, në këtë mur të futbollit shqiptar, ku secili ka vendosur një tullë, të respektohen edhe ata që kanë vendosur edhe dy apo më shumë. E kam për të vjetrit.
A do të jeni në stadium?
Dua të them se më vjen keq për ata njerëz që ikën nga tërmeti, sepse e mendoj sikur të më ndodhte mua. Betohem! Mendoj se duhej një organizim më i mirë dhe meqenëse janë edhe të rinj, siç kanë thënë, le të ulen e të flasin me më të vjetrit, të bënin diçka edhe më të saktë. Madje, më bën habi pse nuk ka marrë edhe ndonjë lojtar nga Kosova që i përfaqëson ekipin pasi u bë zyrtarisht shtet? Apo ka frikë Vuçiçin?
Çfarë doni të thoni me këtë?
Vetëm aq sa thashë. Bëj thirrje që njerëzit të ndihmojnë sa më shumë. Tifozët, shteti e kushdo. Do blej 5 bileta, por nuk kam për ta parë.
Pse, kaq mëri keni për listën?
Jo, jo, fare! Nuk e kam për atë, por e them sepse ka shumë që kujtojnë se ndihma kanë dhënë vetëm personat që dalin nëpër televizione. Madje, unë dyshoj që më tepër marrin lekë, sesa çojnë ndihma ata që e bëjnë për t’u dukur. E kam në përgjithësi për rastin e ndihmave. Ndihmat i bëj se dua, jo për të dalë në televizion dhe prandaj nuk do të jem.
Olsi Tujani
Gazeta Panorama Sport