Pasditen e sotme Jozefina Topalli ishte e ftuar në emisionin “Rudina”, ku ka rrëfyer për publikun e gjërë një pjesë të dhimbshme nga jeta e saj. Ajo është e martuar me Ndoc Topallin dhe kanë dy fëmijë, vajzën Megin dhe djalin Genarin.
Tashmë Megi, vajza e Jozefinës është bërë nënë e një djali të quajtur Nikolas në 16 Gusht të vitit 2019. Gëzimi dhe lumturia në familjen e saj është e madhe dhe Nikolasi është një bekim dhe dhuratë nga Zoti, që i ka bërë ditët e tyre edhe më të bukura.
“Është një gëzim dhe një emocion shumë i veçantë, është një dhuratë e Zotit dhe unë e ndjej veten e privilegjuar që po shoh fëmijët e fëmijëve të mi. Djali i vajzës është kënaqësia dhe dashuria e madhe në familjen tonë”.
Topalli rrëfen në studio, se në kohën kur ka sjellë në jetë vajzën e saj Megin, babai i kishte ndërruar jetë dhe arkivoli i tij kalon para maternitetit ku ajo po lindte.
“Unë kur kam lindur Megin kam pasur edhe një histori të veçantë në fakt dhe kjo ka qenë arsyeja që nuk kam qenë shumë e qetë. Sepse ditën që ka lindur Megi është bërë varrimi i babait tim. Domethënë lindja është përshpejtuar për shkak se disa orë më përpara më vdiq babai. Dhe kujtoj që kur unë po lindja, kur Megi po lindte në maternitet, tamam tek rruga përballë maternitetit po kalonte arkivoli, kështu që ai ka qenë një moment me emocione tepër të forta, sa dhimbje aq edhe gëzim. Por e di Rudina që këto ngjarje tepër të veçanta, që asnjeri nuk do donte t’i ndodhnin në jetë, të shënjojnë fort dhe të bëjnë të mendosh më shumë mbi jetën, gëzimin e një buzëqeshjeje, mbi rëndësinë e përqafimit brenda familjes, mbi rëndësinë e mirëkuptimit brenda nesh. Sepse në fund të fundit, jeta është një spektakël i vërtetë dhe nuk duhet të humbim asnjë çast nga çdo ditë që ne e jetojmë atë”, rrëfen ndër të tjera Topalli.
Marrë nga ‘tvklan.al’