Lideri i opozitës Lulzim Basha, është shrehur se çdo sistem zgjedhor që mund të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme është i destinuar të dështojë, pasi më parë duhet të ndahet krimi nga politika dhe vjedhja e votës.
Pak çaste para nisjes së takimit me aleatët në Selinë Blu, Basha tha se është i gatshëm “t’i japë fund një orë e më parë krizës së thellë politike ku ndodhet vendi për shkak të Edi Ramës”.
“Në emër të PD-së dhe të opozitës së bashkuar kam qenë dhe jam i hapur për të diskutuar me të gjithë qytetarët shqiptarë se cili sistem zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme. Nisur nga praktika e 7 viteve të fundit, mund të them me siguri se cilido sistem të zgjidhet do të dështojë, nëse nuk ndahet politika nga krimi dhe nuk dënohet vjedhja e votave. Ndaj mund të them se alibia që fajin e ka sistemi, mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës. Shqipëria është sot në një krizë të thellë politike për shkak të përgjegjësive të këtij kryeministri dhe dështimit total të tij.
Unë zgjedh të besoj Bundestagun, dhe besoj se nuk ka shqiptar që zgjedh të besojë Edi Ramën. Ka shkruajtur e zeza mbi të bardhë, se vendi është në një krizë të thellë politike. Sot i ka braktisur mijëra familje në pikë të hallit. Tregoi se edhe Kosova ka më shumë aftësi dhe gatishmëri për t’i ndihmuar qytetarëve në kohë rreziku. Jemi të gatshëm për t’i dhënë një orë e më parë fund krizës së thellë ku e ka përfshirë Edi Rama vendin”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati Basha shprehu mbështetjen e Partisë Demokratike ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të NATO teksa u pyet për tensionet me Iranin.
“Liria dhe demokracia e vërtetë ka një çmim të lartë. Pa luftuar për lirinë dhe demokracinë ditë për ditë, ajo zhduket. Unë jam krenar që si ministër i Jashtëm kam rreshtuar Shqipërinë krah për krah aleatëve në NATO. Ndaj dua të shpreh edhe njëherë qëndrimin tonë të qartë krah SHBA-ve”, përfundoi Basha.