Kryebashkiaku i Tiranës dha lajmin e mirë pasi 1000 familje dhe çifte të reja mund të blejnë banesë të re në kryeqytet pasi përfitojnë nga programi i kredisë së butë. Kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë inspektimit të dy shkollave të reja që po ndërtohen në kryeqytet, shkolla “”Kristo Frashëri” dhe “Vaçe Zela” tha se muajin tjetër do të hapet thirrja për dhënien e kredive të buta.
“Duke filluar nga muaji tjetër bashkë me Entin Kombëtar të Banesave ne do të hapim një thirrje për 1000 kredi të reja të buta dhe siç kemi parë nga thirrja e parë që patëm me 1000 kreditë e para, kryesisht kanë qenë këto lloj zonash. Pra zona që janë midis Unazës së Tretë dhe Unazës së Pestë të Tiranës, zona që kanë ndërtime të reja dhe të përballueshme për sa i përket fuqisë së kredisë, por edhe fuqisë që mund të paguajë një familje e re. Dhe zona që preferojnë një apartament aty ku është afër një shkollë, një kopsht apo një çerdhe”, u shpreh Veliaj.
Përmes projektit për kredi të butë, Bashkia e Tiranës i ofron mundësi mijëra familjeve që të marrin një shtëpi të re, në zona me akses nëpër shkolla, kopshte apo çerdhe, njofton zyra e Shtypit.
Procedurat
Për sa i përket procedurës së kredive të buta, të gjitha aplikimet e bëra në njësitë administrative për strehim nëpërmjet subvencionimit të interesave të kredisë, shqyrtohen në bashkinë e Tiranës për të bërë më pas dhe përzgjedhjen e familjeve që plotësojnë kriteret për të marrë kredi të butë me interes 3%. Ndërkohë sa i takon kritereve të vendosura, ato janë të njëjta me një vit më parë. Kështu për efekt të përfitimit të subvencionimit të interesave të kredisë, individët/familjet, që janë miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, paraqiten pranë strukturës përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore për të bërë deklaratën për dhënien e pëlqimit për përdorimin e të dhënave personale, me qëllim rifreskimin e dokumentacionit që lidhet me: a) vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit; b) vërtetimin nga bankat për gjendjen e llogarive dhe të depozitave të familjes/individit; c) dokumentin e lëshuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore për dhënien e statusit të individit/familjes që përfiton për subvencionimin e kredisë; ç) certifikatën e gjendjes familjare; d) adresën e banesës dhe emrin e pronarit të banesës.
Familjet
Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë, miratuar me vendim të këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore, i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin. Listat përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton si edhe të dhëna mbi gjendjen: a) e strehimit; b) familjare; c) sociale; ç) ekonomike, sipas nenit 16, të ligjit nr.22/2018. Të dhënat nuk mund të përdoren, përveçse për monitorimin e programit.Njësia e vetëqeverisjes vendore, brenda listës së individëve/familjeve që kualifikohen për kredi me interesa të subvencionuara, miraton listën parësore me subjektet që kanë grumbulluar më shumë pikë brenda kuotave që mund të financohen nga buxheti i shtetit ose i njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe një listë rezervë, me subjektet që renditen më poshtë me pikë. Lista rezervë përdoret nga institucioni financiar kur një individ/familje nuk kualifikohet nga institucioni financiar si i përshtatshëm për të lidhur kontratën për marrjen e kredisë. Individët/familjet e listës rezervë duhet të plotësojnë kushtet për përfitimin e kredisë, sipas pikës 13, të këtij vendimi.
Individët
Individët/familjet që nuk përfshihen në listë kanë të drejtën e ankimit administrativ pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore për t’u njohur me shkaqet e mospërfshirjes së tyre në listën e përfituesve. Kundër këtij vendimi, individët/familjet kanë të drejtën e ankimit në gjykatën administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Institucioni financiar njofton individët/familjet përfituese për t’u paraqitur për lidhjen e kontratave, duke ndjekur radhën sipas renditjes së listave të dërguara nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Kontrata e kredisë lidhet ndërmjet institucionit financiar dhe gjithë pjesëtarëve madhorë të familjes. Individët/familjet e miratuara me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore duhet të kujdesen për gjetjen e një banese për blerje me kredi dhe kanë një afat 6-mujor nga data e marrjes së njoftimit për lidhjen e kontratës me institucionin financiar. Në rast se pas kalimit të këtij afati individi/familja ende nuk ka gjetur banesë, paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë për të kërkuar shtyrje të afatit. Kur familja paraqitet pranë institucionit financiar dhe institucionit që monitoron subvencionim e kredisë brenda 6 muajve nga data e njoftimit (publik/shpallja e listave/me shkresë), duke kërkuar shtyrje të afatit, emri i subjektit vazhdon të qëndrojë në listë pritjeje edhe për 6 muaj të tjerë.