Duket se atentati me snajper që i mori jetën 47-vjeçarit Kastriot Reci ditën e djeshme në Rrëshen, ka qenë i planifikuar me detaje.
Kanë dalë sot pamjet brenda banesës nga ku ka ndodhur goditja e vetme me plumb nga një snajper.
Dyshohet se vrasësi ka qenë profesionist, duke u nisur nga precizioni që ka kryer qitjen.
Veshur si femër, me paruke dhe fustan, ai është ngjitur i maskuar mirë për në katin e shtatë të pallatit, ku ka modifikuar grilën e dritares së banjos dhe më pas ka pritur lëvizjet e shënjestrës së tij Kastriot Reci, i cili për pak do të dilte në lokalin e tij “Mirdita”.
Edhe pse Reçi ka qenë i shoqëruar nga vëllai i tij, vrasësi ka pritur qetësisht që ata të merrnin distancë nga njëri tjetri nëmënyrë që mos të gabonte shënjestrën.
Mësohet se banesa nga ku është kryer goditja me snajper ka qenë në pronësi të Armando Gjinit, i cili u vra në muajin gusht të vitit të kaluar po në Rrëshen, në sy të fëmijëve të tij në makinë.
Edhe pse nuk u tha kurrë publikisht, familja e Gjinit si dhe prokuroria dyshonte se pas kësaj vrasje fshihej pikërisht Kastriot Reçi, ndërsa përplasjet mes dy familjeve kanë çuar në total 5 viktima derimë tani.
Vrasësi dyshohet se është ndihmuar nga një tjetër person për tu larguar nga qyteti, dhe në fund të pallatit ka hedhur armën e tij snajper dhe është larguar duke përfituar dhe nga reagimi i vonë i policisë në ngritjen e postblloqeve.