Senati amerikan ka dhënë konfirmimin për Yuri Kim, duke vendosur kështu që ajo tashmë do të marrë detyrën si ambasadorja me e rë e SHBA në Shqipëri.
Komisioni i Jashtëm i Senatit aprovoi në nëntor dhe Kim, e cila ishte e pranishme aty u shpreh se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformën në drejtësi, dhe luftën për kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet krijimin e strukturave të posacme që do të kontrollojnë figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Ndër të tjera ajo shtoi që investimet dhe eksportet amerikane do të rriten në Shqipëri.
Kështu, Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe i pari nga territori amerikan i Guamit që shërben në një detyrë të tillë.
KARRIERA E YURI KIM SI DIPLOMATE
Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.
Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.
Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.