Historia ime” në Tv Klan ka sjellë ditën e sotme rrëfimin e pazakontë të një gruaje të guximshme.
Bëhet fjalë për Olimbi Hoxhaj e cila është drejtore e shoqatës së personave të prekur me virusin HIV/AIDS, e cila është themeluar në vitin 2004.
Pak ditë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, ajo kupton se ishte prekur vet nga ky virus. Bashkëshorti i saj asnjëherë nuk i kishte treguar se ishte i prekur nga virusi. Olimbia është nënë e 4 fëmijëve, 3 djemtë e saj janë mbartës të këtij virusi, ndërsa vajza nuk është e prekur nga HIV/AIDS.
Jeta e Olimbisë dhe e fëmijëve të saj ka qenë tepër e vështirë, jo vetëm për të jetuar me këtë sëmundje, por edhe për t’u përballur me refuzimin e njerëzve.
Olimbi: Im shoq ndërroi jetë dhe në atë moment, unë e gjeta veten të rrethuar vetëm nga fëmijët e mi sepse isha totalisht e braktisur nga të gjithë.
Mirela Milori: Pse?
Olimbi: Sepse është frika…
Mirela Milori: Pra bashkëshorti juaj ndërroi jetë sepse ishte i prekur nga virusi Hiv?
Olimbi: Po po!
Mirela Milori: Ju e dinit?
Olimbi: Jo absolutisht, unë e kam marrë vesh mbasi kishte ndërruar jetë…
Mirela Milori: Ai nuk e kishte ndarë me ju? E mori me vete këtë sekret pa ju a thënë?
Olimbi: Po, dhe ishte ambienti, shoqëria që e orientoi drejt fatalitetit sepse për shkak të pozicionit të punës, gjithë kolegët, të afërmit, miqtë e morën vesh dhe filuan ato reagimet ndaj diçkaje të panjohur, që të çon drejt frikës, largimit, izolimit. Dhe ndoshta kjo ndikoi, që ai mori atë veprim drastik. Që aq më tepër të nxitur dhe nga sistemi sepse sitemi ishte i papërgatitur. Para vitit 2004, kushdo që diagnostikohej me HIV ishte i destinuar të vdiste. Pra e vetmja gjë që të ofronte sistemi shëndetësor ishte një test diagnostik për HIV dhe një krevat në spitalin infektiv ku kaloje javën e fundit, i braktisur totalisht nga familjarët dhe të afërmit..