Nuk ka të ndalur solidarizimi i shqiptarëve të Kosovës në këto ditë tepër të rënda për Shqipërinë, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë.
Mbrëmjen e djeshme një situatë shumë prekëse dhe emocionuese ndodhi në studion televizive të Klan Kosovës.
Një grua nga Peja e cila vuante nga kanceri kërkoi që të dhuronte 50 euro për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Drejtuesi i programit Alaudin Hamiti “Ndërrimi i natës” dhe të ftuarit kanë shpërthyer në lot, të prekur nga shpirti i madh dhe nga gjesti human i kësaj gruaje.
“Unë jam e sëmurë nga kanceri dhe dëshiroj të dhuroj 50 euro” , është shprehur gruaja përmes telefonit, e cila e ka patur të pamundur të vazhdojë fjalën pasi lotët nuk e linin.
Pas kësaj telefonate moderatori Alaudin Hamiti ka vendosur të mbyllë emisionin.