Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm ditën e sotme në vendet e prekura nga tërmeti i fuqishëm.
Rama u shpreh se sot ishte dita e të gjithë njerëzve të zakonshëm, ndërsa shtoi se kjo ditë është “një rast i mirë për të kuptuar që kemi bërë shumë gam, gam, gam”.
E teksa solidarizohet me banorët, ai shprehet se bilanci i viktimave nuk është përfundimtar.
Deklarata e plotë e Ramës:
Kemi humbur jetë njerëzish. Kemi pasur jo pak jetë të shpëtuara. Kjo ditë ka qenë pa diskutim dita e atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve apo edhe uniformën e trupave speciale të ardhura nga Kosova që janë bërë shëmbëlltyrë e një bashkimi kombëtar në dhimbje dhe sakrificë.
Kanë qenë gjithë heronjtë e kësaj dite. Bluzat e bardha që i kemi përgojuar pa hesap në ditë me diell, sot kanë qenë në krye të detyrës për të kuruar jetë njerëzish. Për fat të keq, bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar por lus Zotit që të mos ketë përfunduar as bilanci i jetëve të shpëtuar nga rrënojat ku ende marrin frymë njerëz. Qe një ditë sa e rëndë aq edhe e mbushur me emocion dhe rezultat i një solidariteti të jashtëzakonshëm të shqiptarëve dhe miqve të këtij vendi.
Ambasadat janë vënë ditët e fundit në shënjestër. Sot në mëngjes herët në emër të SHBA-ve dhe BE-0së na kanë shprehur gatishmërinë e tyre. Më vjen mirë që mund ta them që qeveria ka bërë maksimumin. Kemi qenë në terren të gjithë.
Është sureale të flasësh me Presidentin e Francës kur je përballë një gërmadhe në Durrës.
Nesër do të jetë ditë zie kombëtare. Sot kam punuar për të ndërtuar me shpejtësi një marrëveshje me gjithë operatorët turistikë, në Durrës dhe Kavajë pa diskutim por edhe në Durrës dhe në Lezhë për familjet që nuk kanë një çati. Nuk mund ta kalojnë dimrin në tendë. Kjo nuk është një çështje ditësh apo javësh, është një çështje muajsh. Nuk janë vetëm vendet e Evropës që janë të gatshëm të ndihmojnë sepse duam të rindërtojmë. Duam të rikthejmë njerëzit në shtëpi të reja dhe koha nuk pret. Ju them të gjithëve duhet solidaritet, durim. Mbase ky është një rast i mirë për të kuptuar që kemi bërë shumë gam, gam, gam dhe jemi mësuar të qahemi dhe ankohemi shumë duke harruar se jeta është diçka pak më ndryshe se gam, gami i përditshëm. Ju siguroj që siç bëmë me të gjitha familjet në Korçë, do të bëjmë për të gjitha familjet, që këtu janë shumë. Ne do të dalim më të fortë nga kjo histori, por fatkeqësisht nuk do të dalim të gjithë pasi disa prej nesh nuk janë më. Fjalët për të ngushëlluar familjet e tyre janë të vështira për t’u gjendur.
Teksa është pyetur për shpalljen e gjendjes së emergjencës, ai është shprehur se: Është e çuditshme ta dëgjoj këtë pyetje nga mëngjesi deri në darkë. Çfarë do të thotë? Akti formal i gjendjes së jashtëzakonshme?! Nuk është se sjell më shumë se sa ka sjell sot gjithë ky solidaritet. Nuk do të ndryshojë asgjë. Natyrisht, nesër është dita për të menduar për të gjitha.