Ditën e sotme zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta Tedi Blushi u thirr sot në Prokurorinë e Tiranës ku u mor në pyetje në lidhje me akuzat e tij dhe kreut të Shtetit se një përfaqësues i një ambasade të huaj në vendin tonë e ka shantazhuar.
Blushi foli përpara gazetarëve në momentin që la ambientet e Prokurorisë duke u shprehur se ishin dy persona që i kanë kërkuar të fshijë një postim që ka bërë më herët në rrjetet sociale.
“Kam komunikuar me dy shtetas të ndryshëm në telefon, në gjuhën shqipe dhe një gjuhë të huaj dhe nuk dua ta them tani në çfarë gjuhe. Ata më kanë kërkuar që të ndryshoj qëndrimin tim publik sigurisht për shkak të detyrës. Për të gjitha këto unë kam vënë në djeni organin e akuzës. Janë detaje që nuk dua t’i bëj publike tani, kam besim te drejtësia”, deklaroi Tedi Blushi në fjalën e tij.