Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën me një reagim për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në seancën e sotme në Kuvend.
Edhe pse vetë zgjodhi të mos emëronte anëtarin e dytë, presidenti i bën thirrje të gjithë deputetëve dhe i paralajmëron ata që të tregohen të përgjegjshëm dhe të gjejnë pesë minuta për të lexuar nenin 179 si dhe të veprojnë pa humbur kohë.
Në postimin e tij Meta ka publikuar një foto kur është betuar si President.
REAGIMI I PLOTE I PRESIDENTIT ILIR META
Të nderuar deputetë,
Sot është një ditë tepër e rëndësishme për të treguar përgjegjshmëri për të ardhmen europiane të Shqipërisë!
Ju e dini që krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga nëntë kushtet kryesore të Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Kushtetuta e ka përcaktuar qartë radhën se si kryhen emërimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!
Presidenti i Republikës e zgjodhi anëtarin e parë të saj menjëherë !
Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë!
Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij.
Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!
Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!!!
Përshëndetje nga Forumi i Paqes në Paris!