Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas sërish ka ritheksuar qëndrimin kundër të shtetit të tij ndaj kritikave që ka bërë Franca për NATO-n.
“As Gjermania e as Evropa, nuk do të jenë në gjendje që ta mbrojnë vetën në mënyrë efektive, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar ai.
Këto komente vijnë në kohën kur Uashingtoni po bën presion që shtetet anëtare të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtje.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë kësaj jave deklaroi për “The Economist” se “truri i NATO-s ka vdekur”. Ai ka sugjeruar që Evropa duhet të marrë në duart e saj çështjen e sigurisë dhe nuk duhet të varet nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur aleatët e saj.
“Do të ishte gabim nëse e minojmë NATO-n”, tha Maas për Der Spiegel.
Më herët, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka kritikuar Macronin për deklaratën e tij për NATO-n.
Ministri gjerman, Maas pranoi se evropianët duhet të ndërtojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.
“Prandaj, së bashku me Francën, ne po punojmë për të ndërtuar një Evropë që punon së bashku për politikat e sigurisë”, ka deklaruar ai.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdimisht ka kërkuar që vendet anëtare të NATO-s të kontribuojnë më shumë për mbrojtje.