Ditën e sotme është ekstraduar nga Italia, 28-vjeçari Etien Cani nga Elbasani.
Cani akuzohet për vrasjen e shokut të tij të ngushtë Gentian Beqirit si dhe babait të tij, ngjarje e ndodhur në banesën e këtyre të fundit në Elbasan, në vitin 2012.
Cani u arrestua në 1 korrik në Rimini të Italisë, ndërsa sot u bë i mundur ndërsa ekstradimi i tij drejt shtetit shqiptar.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Interpol Tirana
Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.
Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje.
Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Kush eshte Etjen Cani?
Etjen Cani ishte ndër personat e vetëm që hynte në banesën e familjes së Gentjan Beqirit, pasi ky i fundit, dyshohej se kishte vrarë Sokol Çapjan dhe ruhej. Gentjan Beqiri ishte i paralizuar, prandaj gjykata e kishte lenë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Mëngjesin e 15 gushtit 2012 Gentian Beqiri është qëlluar me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij është rrahur barbarisht me sende të forta, dhe eshte gjuajtur me thika, per pasoje i jane thyer 6 brinjë, dhe ka pasur hemoragji në tru dhe në mëlçi.
Historia
Vrasja e Gentian Beqirit nga i dyshuari Cani, është raportuar si një ngjarje që kishte shkak ngacmimin seksual të shtetases G.T nga viktima. Kjo shtetase raportohet se ishte e dashura e Canit, i cili shkonte shpesh në banesën e Gentian Beqirit. Ky ngacmim që Gentian Beqiri mendohet se i ka bërë të dashurës së shokut të tij të ngushtë Etien Cani, mund të jetë bërë shkak i vrasjes brenda në shtëpi, së bashku me babain e tij Nezir Beqiri.
Nga hetimet e vrasjes, policia ka kqyrur edhe aparatet telefonike ku ka zbuluar disa mesazhe.
“…O injorant ça rehati thu re me çin me ngatërron me ato kurvat e rrugëve? Në momentin që Genti zgjati durët u ngrita direkt dhe do ikja dhe nuk më la, tha mirë rrimë flasim si njerëz dhe u ulëm po flisnim tamam, jo unë të pelqej ty, jo t’kam qef. I thashë më vjen keq, e t’keqen s’bahet gja që t’jemi ma tepër. Po për sytë e ballit pyete atë dhe hajde fol me mu plerë se kshu je ti. Shan e ban direkt. Dhe ka mundësi, mos ti bish ma numrit tim. Harroje Gerin, ETJEN CANI…”, është një nga mesazhet e gjetura, në komunikimet mes shtetases G.T dhe të ekstraduarit, që në atë kohë ishte i lidhur me vajzën.
Në lidhje me numrin e telefonit, G.T, shpjegon se numrin e telefonit 06948XXX e ka patur ajo në përdorim dhe se është ajo që ka komunikuar me mesazh (SMS) drejt numrit 06958XXX.
Pista e dytë, pse Etjen Cani dyshohet se vrau Gentjan Beqirin, është se mund të jetë paguar nga fisi Çapja.
Si ndodhi vrasja e Gentian Beqirit
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit. Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.
Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte ndaluar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.
Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.
Fillimisht ata janë përballur me efektivin që ruante te porta hyrëse e pallatit. Por ata kanë arritur të ngjisin shkallët pa asnjë problem. Duket që polici ka menduar se dy personat e panjohur ishin mysafirë të ndonjë fqinji të personit që kishin nën ruajtje.
Më tej, kur janë ngjitur në katin e pestë, janë përballur me policin e dytë. Ata kanë nisur të flasin shumë miqësisht me të duke iu prezantuar si djem të tezes së Gentian Beqirit.
Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte “tezja” në shtëpi, teksa i ka bërë me shenjë që bëhej fjalë për hyrjen ku banonte familja Beqiri. Por ai u ka thënë dy të panjohurve se e zonja e shtëpisë sapo kishte dalë në treg për të bërë pazar.
Në këtë moment, njëri prej tyre ka vazhduar dialogun duke i thënë policit roje se po shkonin të takonin “djalin e tezes”, Gentianin, pasi kishin kohë pa e takuar.
Autori i ka rënë derës së banesës, të cilën e ka hapur i babai i moshuar i viktimës, Nezir Beqiri. Vetëm pak minuta ka zgjatur “vizita” e dy personave, të cilët kanë dalë nga banesa me hapa krejt normalë. Pasi kanë zbritur shkallët, ata kanë kaluar edhe policin e dytë roje. Ky i fundit, i habitur nga vizita e shpejtë, i ka pyetur se pse kishin qëndruar aq pak.
Por pikërisht në këtë moment është zbuluar çfarë kishte ndodhur, pasi të dy personat kanë vrapuar duke u futur nëpër rrugicat e lagjes. Policët kanë shkuar me të shpejtë në vend dhe konstatuan vrasjen e personit që ata e ruanin prej me shume se 2 vitesh, ndërsa përtokë pa ndjenja ishte edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili dyshohet se është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës që të mos jepte alarmin e krimit.
Sipas Policisë, vrasja është kryer me pistoletë me silenciator, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe në trup. Dyshohet se në momentin e ngjarjes 40-vjeçari ndodhej ende në gjumë.