Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë në lidhje me vendimin e Bashkimit Europian të pak ditëve më parë për të mos hapur negociatat me Shqipërinë.
Meta ka komentuar edhe faktin që Rama, ndryshe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka vendosur mos të japë dorëheqjen.
Në një intervistë për News 24, Meta ka theksuar se nëse Rama do të ndiente 1/100 e përgjegjësisë së Zaev, atëherë negociatat do të ishin hapur që vjet, në mos më herët.
“Nëse do të prisnim një reflektim të tillë mendoj se do të ishim naivë, për arysen se nëse do të kishte ndjerë një të qindtën e përgjegjësisë që do të kishte ndjerë Zaevi, që mendoj se është një viktimë e rrethanave… nëse kryeministri do të kishte ndjerë kaq përgjegjësi, ne do t’i kishim çelur negociatat që para një viti”, tha Meta.
Zoti president, Këshilli Europian mori vendimin për refuzimin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. A ishte i pritshëm ky vendim për ju si president, pasi në një farë mënyrë e kishit parashikuar me zhvillimet që ka pasur Shqipëria gjatë këtij viti. Cilat do të jenë pasojat për këtë vendim për Shqipërinë, por dhe rajonin?
Meta: Besoj se qëndrimet e mija kanë qenë mjaft të qarta dhe projekte të vendosja dhe sistemike për të evituar një vendimmarrje të tillë. Duke krijuar në mënyrë të vazhdueshme nga të dy palët. Në mënyrë të veçantë nga qeveria për të reflektuar me qëllim në radhë të parë të organizmit të zgjedhjeve vendore gjithëpërfshirëse në 13 tetor. Por edhe për çështje të tjera që do të përmirësonin shansin e Shqipërisë për të marrë një dritë jeshile në 18 tetor. Kam qenë i qartë për këtë çështje. Në rast se nuk do të ndodhte kjo që ndodhi premtova dhe një dekoratë. Në kushtet e vlerësimit tim një vendimmarrje pozitive për shkak të rrethanave të brendshme, të shtuara, negative, përkeqësuese. Në raport kjo të paktën me një vit më parë ishte evidente, natyrisht që një vendimmarrje pozitive do të ishte jashtë gjithë historikut si ka funksionuar vendimmarrja në BE.
Refuzimi ishte edhe për Maqedoninë e Veriut, dhe reagimi i dy kryeministrave ishte i ndryshëm. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka shpallur zgjedhje të parakohshëm, ndërsa kryeministri i Shqipërisë thotë se “nuk ka ndonjë përgjegjësi dhe zgjedhjet do të jenë në vitin 2021. A prisni ju një dorëheqje të tij si një reflektim?
Meta: Nëse ne do të prisnim një reflektim të tillë nga ana e kryeministrit tonë sot, mendoj se do të ishim pak naivë, për arsye sepse nëse do të kishte ndier 1/100-n e përgjegjësisë që ka ndier Zaevi, i cili në rastin konkret për mua është një “viktimë” nuk është një përgjegjës….
Gazetari: “Viktimë” e kujt?
Presidenti Meta: …“viktimë” e rrethanave të caktuara. Pra në rast se kryeministri ynë do ndiente 1/100-n e përgjegjësisë së Zaevit, ne do t’i kishim çelur negociatat para dy vitesh, para një viti në qershorin që kaloi dhe absolutisht nuk do të vihej në diskutim tani.
Aq më tepër që ishim bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe mund të përfitonim shumë nga suksesi i madh që shënoi ky vend në planin ndërkombëtar, për shkak të Marrëveshjes së Prespës.
Mua më vjen keq ta them këtë gjë, sepse jam President i Shqipërisë, por Maqedonia e Veriut edhe me këtë sjellje që tregoi pas mosmarrjes së çeljes së negociatave, që ishte një padrejtësi e madhe, tregoi edhe njëherë tjetër se e meritonte çeljen e tyre.
Sepse mënyra e sjelljes së saj ishte shumë demokratike, shumë europiane, sepse i ishte premtuar popullit që edhe zgjidhja e emrit edhe bërja e disa reformave bëheshin sepse ishte e sigurt çelja e negociatave, përveç anëtarësimit në NATO.
E vërteta është, që shumica e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian, me ndonjë rast të veçantë, kanë qenë që Maqedonia e Veriut ta merrte dritën e jeshile qoftë dhe duke e ndarë me Shqipërinë.