Roland Cano, mësues që prej 2010-ës në gjimnazin “11 Shkurti” në Libohovë, denoncon drejtorin e shkollës i cili i ka manipuluar rezultatet e vlerësimit. Nga kjo gjë, e kanë transferuar nga Libohova në Nepravishtë. Veç kësaj Rolandi tregon se të gjithë mësuesit e kësaj shkolle, kanë vlerësuar me nota një nxënës të klasës së 12-të, i cili ka kërkuar azil në Francë.
Drejtori dhe mësuesja kujdestare e pranojnë që e kanë bërë këtë shkelje. Ndërsa drejtoresha e ZA-së Dropull-Libohovë, Albana Hasanaj thotë se do të ngrihet komision vlerësimi për mësues Rolandin. Por për rastin e nxënësit, që ka marrë notat, pa qenë në Shqipëri, sipas saj duhen shkarkuar të gjithë mësuesit.
“Jam Roland Cano, mësues prej 13 vitesh në qytezën Libohovë. Kërkoj ndihmën e emisionit “Stop”, sepse besoj se jam pezulluar padrejtësisht dhe jam larguar padrejtësisht nga puna prej shkollës ku unë punoj prej 10 vjetësh nga Gjimnazi 11 Shkurti, Libohovë. Këtu ka ndodhur falsifikimi i dosjes, sipas udhëzimit 13 në drejtori. Më është hequr 1 pikë nga vlerësimi i mesatares së notës, më është hequr një pikë nga vlerësimi i kualifikimit, nuk më është dhënë mundësia të disponoj kontakt me psikologun.”
Në shkollë askush nuk e njeh psikologun.
“I kam kërkuar drejtorit numrin dhe emrin e psikologut, nuk ka pranuar të më ndihmojë. Ndodhi që mësuesja tjetër të vlerësohet me 15 pikë dhe unë me gabimet teknike të drejtorit, dhe me atë të psikologut vlerësohem me 11 pikë. Kur faktikisht duhej të kisha edhe 15 pikë. Nëse do të ishte vlerësimi i rregullt, do të ishim të dy barazim. Do të ndodhte që unë jam mësues specialist me kualifikim 10 vjeçar, unë kam katër testime të shtetërorit të nivelit 4, do të thoshte që puna duhej të më takonte mua dhe jo asaj. Mua më kanë dërguar në Nepravishtë, 10 km larg nga Libohova. Drejtori më ka pohuar që ka dy gabime teknike në vlerësimin e dosjes, po të shtosh edhe atë të psikologut, bëhen edhe 2 pikë të tjera. Unë kërkoj ndihmën e emisionit “Stop”. Të më ndihmojë të kthehem në vendin e punës, sepse nuk mund të paguaj unë për gabimin teknik të të tjerëve. Përveç kësaj, kam edhe një denoncim për të gjithë mësuesit e kësaj shkolle, sepse ka defiçenca në zbatimin e ligjit. Gjatë vitit shkollor 2018-2019 unë kam zbatuar ligjin, dhe 2 nxënës që nuk kanë qenë në shkollë, unë i kam përjashtuar, kurse kolegët e mi, siç është problemi flagrant i një nxënësi që ndodhet në Francë, që quhet R. K., i klasës së 12 A, ka braktisur shkollën në tremujorin e dytë, ka munguar në të gjithë tremujorin e tretë dhe në regjistër, pothuajse në shumicën e lëndëve figuron kalues me nota 5. Përgjegjësia për këtë shkelje kaq flagrante i takon kujdestares dhe drejtorit. Pastaj edhe të tjerëve, të cilat mbase nën presion e kanë kaluar. Një prej mësuesve nën presion për përjashtimin nga puna kam qenë edhe unë, gjë e cila ndodhi faktikisht. Unë këtë shkelje nuk mund ta denoncoja, sepse këta janë njerëz me pushtete politike, të lidhur me parti politike dhe me njerëz të fuqishëm dhe unë nuk mund të dal mbi shtetin.”
Nëpërmjet kamerës së fshehtë të emisionit “Stop”, vetë mësuesi Roland Cano takon drejtorin e shkollës./tvklan