Moti i keq që ka goditur Greqinë Perëndimore orët e fundit dhe ka shkaktuar dy viktima.
Një person ka humbur jetën nga rrufeja në Ilia të gadishullit të Peloponezit. Në të njëjtën mënyrë është vrarë edhe një qytetar tjetër në Kyparissia, i cili mblidhte hekurishte në një landfill.
Në Kalamata era e fortë ka shkulur dhjetëra pemë, janë dëmtuar automjete dhe janë thyer shumë vitrina dyqanesh.
Shërbimi i zjarrfikësve njofton se ka pranuar dhjetëra thirrje për ndihmë nga banorët. Në Amalida një tornado që ka kaluar pranë zonave të banuara ka shkaktuar dëme në disa banesa dhe dyqane.
Prej disa orësh shumë zona të Greqisë Perëndimore janë goditur nga reshje të rrëmbyeshme , stuhi dhe furtuna. Përmbytje ka pasur në disa fshatra të ishullit të Qefalonisë.
Sipas sinoptikanëve këto fenomene do të godasin në orët e ardhshme Thesalinë, Maqedoninë dhe Trakën dhe do të vazhdojnë deri në orët e para të së mërkurës ne ishujt e Egjeut Lindor dhe atij juglindor.