Gazetari Nikollë Lesi në një editorial të botuar te “Koha Jonë” ka komentuar zhvillimet e djeshme me rastin e 77-vjetorit të Konferencës së Pezës.
Lesi ka zgjedhur të ndalet dhe te “përplasja” mes kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe presidentit Ilir Meta.
Gazetari ndër të tjera shkruan se Rama e ka detyruar Veliajn që të ndryshojë qëndrim për kreun e shtetit.
Lesi shton më tej se Rama ka qenë shumë i ashpër dhe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kur ku i fundit u shfaq mjaft i qeshur me Monika Kryemadhin, në festimet për 15-vjetorin e themelimit të LSI-së.
“Vetëm Gramoz Ruçi dhe këshilltari i tij Kosta Bajraba e dijnë se ç’dru ka ngrënë kryeparlamemtari Ruçi, pas gotës së shampanjës te LSI!
Kjo është Rilindje! Të bën të gëlltisësh çka thua në mëngjez dhe ta ndërrosh pllakën me 180 gradë me një vështrim inatçor apo sms të kryeministrit”, shkruan ai mes të tjerash.
SHKRIMI I PLOTE I GAZETARIT NIKOLLE LESI
Për të parë shkallën e demokracisë së brendshme në PS mjafton të shikojmë një ndodhi e cila dje filloi në Pezë dhe mbaroi në studion e news24 me emisionin e Sokol Ballës.
Dje ishte festa e 77-vjetorit të konferencës së Pezës. Në Pezë shkoi Presidenti Meta dhe zv/kryeministri Braçe, e ku natyrisht mikpritësi ishte Erion Veliaj. Sipas protokollit shtetëror, kryebashkiaku e priti presidentin, bile gjatë fjalës së tij Erion Veliaj iu referua disa herë Presidentit, ndërkohë që kamera e televizionit kapte herë pas herë që kur kryebashkiaku përmendte emrin e Ilir Metës si president, fytyra e zv/kryeministrit Braçe thartohej.
Deri këtu gjithçka shkoi mirë dhe miqësisht. Në thelb Ilir Meta është më i majtë se të majtët e PS-së, Erjon Braçe dhe Erion Veliaj, porse protokolli e detyronte të mbante përbrenda ndjenjën e së majtës. E megjithatë Erion Veliaj zhvilloi një super aktivitet në Pezë, bile e kishte filluar që një ditë më parë. Për të qenë realist Erion Veliaj është kryebashkiaku i duhur për Tiranën, ndonëse fitoi me një palë votime partiake me 30 qershor, por prapë mendimin e kam të palëkundur se edhe përballë një kandidati të PD-së, përsëri Veliaj do të mund të fitonte.
Deri paradite gjithçka kaloi festive në Pezë. Në kryeqytet, me sa duket, nuk i kishte pëlqyer kryeministrit Rama fakti që kryebashkiaku Veliaj iu referua presidentit gjatë përshendetjes së tij në Pezë. Natyrisht që edhe zv/kryeministri ndonjë sms do t’ja ketë nisur kryeministrit për Erion Veliajn.
E dihet se kur egërsohet Edi Rama apo kur fantazon ndonjë “skenar” Meta-Veliaj ai bëhet keq, pasi edhe për dreq të dy banojnë te Kodra e Diellit e kësisoj hamëndësimet shkojnë deri në ujdi mes tyre kundër kryeministrit.
Ndaj mund të shpjegohet se si Erion Veliaj ndryshoi 180 gradë në darkë te emisioni i Sokol Ballës, pa harruar se gjithçka në facebook-un e Erion Veliajt nga festa e Pezës, ku ishte me Presidentin Meta, u fshi në kohë rekord. Mjafton të shikoni momentalisht facebook-un e kryebashkiakut, ku çfarë nuk është futur, përveçse aktivitetit të përvjetorit të konferencës së Pezës me Presidentin.
Ndaj kur shikojmë se çfarë i ndodhi Erion Veliajt që quhet nga pjesa socialiste si numri dy, de facto, në PS atëherë imagjinoni se çfarë iu bën kryeministri dhe kryetari i PS-së gjithë të tjerëve, përfshi edhe ish-shtyllës kurrizore të PS-së, Gramoz Ruçi. Edhe Ruçi mori “shpullë” të fortë se pse shkoi te festa e përvjetorit të 15-të të LSI e ku doli “gabimisht” përkrah Monika Kryemadhit dhe Luan Ramës.
Vetëm Gramoz Ruçi dhe këshilltari i tij Kosta Bajraba e dijnë se ç’dru ka ngrënë kryeparlamemtari Ruçi, pas gotës së shampanjës te LSI!
Kjo është Rilindje! Të bën të gëlltisësh çka thua në mëngjez dhe ta ndërrosh pllakën me 180 gradë me një vështrim inatçor apo sms të kryeministrit.
Në fakt Edi Rama mbetet një kopje e Enver Hoxhës apo e Sali Berishës së vitëve 1992-1997. Tregojnë se me një vështrim apo “këshillë” (se atëhere nuk kishte sms diktatori, pasi do bënte namin) të Enver Hoxhës përfundoje në burg ose pak më mirë, i internuar. Mbetet proverbiale një takim i kërkuar nga Enver Hoxha me profesorin e nderuar Hamit Beqja. Profesori kishte botuar një artikull në gazetën “Mësuesi”, por që nuk i kishte pëlqyer Enver Hoxhës. Dhe e lajmërojnë Hamit Beqjen te shkonte se e kërkonte vetë Enveri. Ai me vrap nxiton e ngjit shkallët e Komitetit Qendror të PP. Dhe pret pothuaj një orë në paradhomë. Ndërkohë sekretari i diktatorit bënte sikur nuk e shikonte. Dikur e thërret diktatori. Hyn profesor Beqja dhe ulet përballë diktatorit. Por ai vazhdonte leximin e diçkaje që kishte në tavolinë. Pas kaluan disa minuta Hamiti thotë me gjysëm zëri:
-Kam ardhur shoku Enver!
-Hamdi!- i drejtohet Enveri.
-Hamit e kam shoku Enver!
-Hamdi të thashë!-ngre zërin Enver Hoxha.
-Jam Hamiti- përsëriti Hamit Beqja.
-Hamdi! Partia jo vetëm të ndërron emrin, por të dërgon edhe për riedukim!- ngre zërin dikatori.
-Si urdhëron shoku Enver!
Kjo ndodhi e treguar nga një ish-gazetar, tashmë në pension, mbetet proverbiale për kohën e dikurshme, por edhe për sot.
Ndaj Erion Veliaj shpëtoi mirë dje nga Edi Rama, pasi ai edhe mund t’i ndërronte emrin pas pritjes së përzemërt të Ilir Metës në Pezë!