Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm dhe forma alternative e blerjes së ujit të autoboteve, është bërë shkak i infektimit në masë të kryeqytetasve me bakterin “salmonelë”. Ky bakter, merret kryesisht nga ushqimet siç janë: sallata, perimet e ndryshme, mishi i pulës, si pasojë e moslarjes së tyre me ujë të bollshëm.
Banorë të zonave të ndryshme të Tiranës kanë zgjedhur të furnizohen me ujin e autoboteve, i cili mund të jetë i kontaminuar, pasi së pari nuk është i destinuar për konsum dhe për më tepër, nuk i nënshtrohet asnjë lloj kontrolli.
Sipas epidemiologëve të Shërbimit Infektiv, prej rreth një javë, janë paraqitur çdo ditë mesatarisht 280 raste të infektimit me salmonelë.
Autobotet blejnë ujë pranë ujësjellësit të Tiranës dhe funksioni i tyre është i përcaktuar për vaditje, në mënyrë që të mos abuzohet me ujin e rrjetit që furnizon qytetarët. Mirëpo, konsumimi i këtij uji përbën rrezik, pasi është i patrajtuar në impiantin e Bovillës dhe askush nuk analizon cilësinë tij.
Autoritete shëndetësore, duke shmangur përgjegjësitë, shpjegojnë se nuk kane analizuar asnjëherë ujin e këtyre autoboteve, për sa kohë janë subjekte tregtare private dhe nuk janë në tagrin e tyre.