Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka nisur fjalimin e tij sot në seancën parlamentare duke shpërthyer në kritika kundër qeverisë.
Teksa po fliste nga foltorja e Kuvendit për marrëveshjen për sigurimet shoqërorë për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kanada, Bushati komentoi dhe gjendjen ku janë shqiptarët sot.
Ish-ministri nënvizoi mungesën e një sistemi vlerash duke vënë në dukje dhe grumbullimin e parave në një dorë.
“Ajo që duhet të na bëjë përshtypje është se 30 vite më pas, ne jemi në një gjendje ekonomike më të mirë nga ajo që ishim, por për fat të keq jemi duke përjetuar në një krizë vlerash. S’vjen nga mungesa e të mirave, por nga padrejtësia në shpërndarjen e të mirave.
S’vjen nga përtacia e një qeverie, por nga mpirja që sjell mungesën e shpresës. S’vjen nga injoranca e turmës, por nga grykësia, pafytyrësia dhe paaftësia për të krijuar një sistem vlerash. Duhet të jemi të drejtëpërdrejt dhe të sinqertë me këtë temë. Kapitalizmi grabitqar s’premton një hap gjigant përpara. Për të treguar narrativën tonë. S’themi dot vetëm që jemi vendi i Shqiponjave, Skënderbeut dhe Nënë Terezës. Jo patriotizëm fals.
Na duhet të përcaktojmë objektivat tonë. Se çfarë toke do të jetë Shqipëria. Mund t’ju marr rastin e Izraelit, një vend në shkretëtirë, sot një nga vendet më të zhvilluara në botë. Sepse izraelitët përcaktuan qëllimet e tyre. Kërkuan që vendin e tyre t’a bënin vendin e dijes. I thanë botës se toka e tyre është tokë e bekuar. Por objektivat e një kombi janë të domosdoshme dhe diaspora duhet të jetë në objektivat e tyre.
Ne duhet t’a brendojmë këtë vend. Evropa ka jetuar 550 vite pa Shqipërinë, jeton dhe 550 vite të tjera. Po ne do t’ia falim dot vetes? Fëmijëve tanë? Unë s’dua që fëmijët e mi të mësojnë atë që kemi mësuar ne. s’është çështje e majtë e djathtë. Më shqetëson grumbullimi i të ardhurave për një grup njerëzish, më shqetëson që ne eksportojmë burime njerëzore jashtë vendit. Më shqetësojnë zgjidhjet e lehta… më shqetëson edhe që ne s’kemi një partneritet besimi me Diasporën. Më shqetëson fakti se edhe pse duam të hapim negociatat, s’kemi 5 njerëz nga Diaspora. Që të vijnë këtu të ndërtojnë një sistem gare.”, u shpreh Bushati me tone të ashpra.