Delegacioni i Komisionit të Venecias ka nisur takimet e parashikuara në agjendën e caktuar më parë gjatë misionit të tij në Tiranë.
Mëngjesin e së martës delegacioni i Venecias u takua me përfaqësuesit e opozitës Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha në një nga hotelet e kryeqytetit.
Pas takimit ish deputeti Bylykbashi deklaroi për mediat se Kushtetuta e thotë mjaft qartë se kush e shkarkon Presidentin dhe se parlamenti kërkon që të fusë në këtë lojë të turpshme dhe institucionet ndërkombëtare. Sipas Bylykbashit, presidenti Meta me dekretet e tij u përpoq të ruajë unitetin dhe pluralizmin në Shqipëri.
“Kushtetuta është e qartë, Presidenti i Republikës shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese nëse ka shkelur Kushtetutën. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në Shqipëri. Kjo është një nga detyrat fisnike që duhet të luajë dhe ka luajtur presidenti. Parlamenti po përpiqet që të shkarkojë presidentin dhe në këtë lojë të turpshme përpiqet të bëjë palë institucionet ndërkombëtare që janë të qarta në lidhje me këtë”, u shpreh Bylykbashi.
Ndërsa ish ministrja Gjosha deklaroi se diskutimet për shkarkimin e presidentit janë të paprecedenta. Sipas saj qeveria merret me këtë çështje për të mbuluar keqqeverisjen dhe raportin e OSBE/ODIHR./a2cnn