Sipas një studimi të fundit, fëmijët e grave që përjetojnë gjendje stresante në shtatzëni kanë më shumë gjasa të kenë çrregullime mendore dhe të personalitetit, kur të rriten.
Më shumë se 3600 gra shtatzëna në Finlandë u pyetën për nivelin e stresit që kishin përjetuar gjatë pritjes së ëmbël dhe më pas u monitoruan edhe fëmijët e tyre.
Psikiatrit u shprehën se nënat duhet të jenë shumë të shëndetshme mendërisht, pasi çdo gjë që përjetojnë kalon direkt tek zhvillimi i fetusit të tyre. Faktorë të tjerë të rëndësishëm, të tilla si mënyra e rritjes, situata financiare familjare dhe traumat e ndryshme që mund të përjetohen gjatë fëmijërisë, dihet se kontribuojnë në zhvillimin e çrregullimeve të personalitetit kanë një rol të rëndësishëm.
Çfarë është çrregullimi i personalitetit?
Ky fenomen do të thotë që aspekte të caktuara të personalitetit të dikujt, e vështirësojnë jetën për ta dhe për njerëz të tjerë. Ata mund të jenë të shqetësuar gjatë gjithë kohës ose emocionalisht të paqëndrueshëm, për shembull paranojakë ose antisocial.
Sipas statistikave çrregullimet e personalitetit mund të prekin një në 20 persona. Ata mund të preken më lehtësisht nga probleme të tjera të shëndeti mendor, të tilla si depresioni, ose të jenë të varura nga vese si droga dhe alkooli.
Çfarë tregoi studimi?
Studimi i botuar në gazetën “British Journal of Psychiatry”, u kërkoi grave që të përgjigjeshin për pyetje të ndryshme mbi nivelin e stresit që kishin përjetuar gjatë shtatzënisë. Gratë që u pyetën jetonin në Finlandë dhe një pjesë e madhe e tyre deklaruan se, kishin pasur situata stresuese gjatë shtatzënisë.
Më pas me anë të vëzhgimeve u zbulua se fëmijët e tyre, gjatë kohës që ishin rritur kishin pasur çrregullime të personalitetit, disa prej të cilëve trajtoheshin edhe sot me psikologë.
Çfarë mund të bëhet?
Trudi Senevirante, pedagoge prej kohësh në universitetin Royal College os Psychiatrisis, shpjegon se shtatzënia mund të jetë një periudhë shumë stresuese dhe gratë duhet të kenë mbështetje.
“Nëse stresi nuk trajtohet, sigurisht që do të ketë pasoja më vonë. A është kjo një gjë shumë e ndjeshme për të diskutuar? Sigurisht që po, pasi ne nuk duam që prindërit të mendojnë se po dëmtojnë fëmijët tyre, por nivele të larta të stresit domosdoshmërish ndikojnë tek ne,” u shpreh ajo.
Si mund të ulet niveli i stresit gjatë shtatzënisë?
Senevirante, shpjegon se gratë duhet të bëjnë një jetë të rregullt dhe normale, duke ekuilibruar kohën e tyre mes punës dhe shtëpisë.
“Ato duhet të mësojnë të pushojnë, të kërkojnë mbështetje dhe të bisedojnë me dikë për faktin se si ndjehen,” shton ajo.
Gjithashtu, këshillohet të konsumohet një ditë e ekuilibruar, me ushqime të freskëta dhe një gjumë sa më të rregullt.
Sipas Ross Brannigan, i cili është autori kryesor i studimit, është e rëndësishme që këto rregulla për minimizimin e stresit të ndiqen edhe pas periudhës së lindjes së fëmijës. Ndër të tjera ai cilësoi se, gratë nuk duhet të kenë turp të kërkojnë mbështetje nga profesionistët e shëndetit, që mund t’i ndihmojnë të menaxhojnë ndjenjat e tyre./BBC – Gazeta Si/