Deputeti i ri i opozitës në Kuvend, Alban Zeneli deklaroi se palët politike po tentojnë të bëjnë sërish një marrëveshje okulte, në dëm të shqiptarëve.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 ai u shpreh spektik pasi PS i ka votat bashkë me opozitën e re për të bërë Reformën Zgjedhore, por mund t’i shtrijë dorën opozitës jashtë.
Ndër të tjera Zeneli u shpreh se dispononte informacione dhe me drejtues të mazhorancës se dy palët politike në vend janë gati për të mbërë një marrëveshje okulte.
“Ata e kanë shtrirë dorën shpesh, po vetëm për t’i bërë dëme shqiptarëve, sepse nuk ka ndryshuar asgjë. Kanë bërë paqe apo luftë vetëm për interesat e tyre dhe kanë bërë marrëveshje okulte, sepse nuk kanë ndryshuar asgjë. Dhe unë kam frikë, dhe nga informacionet që kam, edhe me drejtues të mazhorancës, ideja e tyre është për të bërë sërish një marrëveshje okulte. Kjo nuk duhet të ndodhë, pasi kriza 30-vjeçare do të thellohet”, tha Zeneli.
Më tej, ai theksoi se Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi janë të rëndësishme, ndërsa shtoi se opozita e re nuk është fasadë e askujt.
“Reforma Zgjedhore është shumë e rëndësishme. Reformat do bëjnë të mundur se këta njerëz që 30 vite nuk janë përballur me drejtësinë, do të duhet të japin llogari. SHBA dhe BE janë të fokusuar te Reforma në Drejtësi. Ne nuk jemi fasadë e askujt. Votat e opozitës parlamentare kanë qenë në unison në mbështetje të Reformës në Drejtësi, si kërkesë e SHBA-BE, por edhe e gjithë shqiptarëve.
Opozita braktisi Parlamentin dhe u zëvendësua. Në sesionin e ri, opozita në Kuvend do bëjë opozitë më të fortë dhe substanciale. Aksioni jonë politik parësor është Reforma Zgjedhore, e kërkuar nga të gjithë ne në unison. Mbështetja e faktorit ndërkombëtar do të jetë shumë dominant. Ky sistem i kalbur do të ndryshojë. Nëse nuk do të realizohet kjo reformë zgjedhore, e vetmja gjë që i ndryshon jetën shqiptarëve është vota e lirë dhe për këtë votë ne do dalim të gjithë së bashku, pa parti”, u shpreh deputeti.