Një ditë më parë, emisioni “Stop” transmetoi denoncimin e qytetarit Sulejman Alia. Ai tregoi, sesi djemtë e tij kishin rënë pre e një denoncimi të rremë për përdhunim nga ana e tre turisteve norvegjeze, në lokalin, që kanë tek Mali i Robit.
“Kemi edhe përgjigjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, pra sot, më 4 Shtator, një ditë pasi u transmetuan pamjet tek emisioni investigativ “Stop”. Sepse shkresave respektive të qytetarëve me 10 Gusht dhe emisionit “Stop” me 21 Gusht, nuk u ktheu përgjigje asnjë njeri. Dhe e dini kush është absurdi më i madh? Që kësaj ngjarjeje i japin dy versione. Njoftimi i rremë nga 3 shtetase norvegjeze ishte për përdhunim, ndërkohë këtu është për një person të zhdukur.
“Bazuar në telefonatën e sallës operative, datë 3 Gusht 2019, ora 01:33, bërë nga një shtetase e huaj që kërkoi ndihmën e policisë, pasi i ishte largua shoqja pa adresë. Policia e Kavajës ka kryer të gjitha verifikimet sipas procedurës standarde të punës. Në kuadër të veprimeve verifikuese u shoqëruan disa persona që mund të kishin dijeni. Më pas, shtetësja e denoncuar si e larguar u gjet dhe personat e shoqëruar në zbatim të ligjit nr. 108/2014 “për Policinë e Shtetit”, neni 5, germa a, b,c, neni 17, germa c, neni 18, si dhe nenit 30, kreu III, nenit 297 pika 1 të kodit të Procedurës Penale, pas intervistimit mbi dijeninë që mund të kishin u lanë të lirë. E gjithë kjo procedurë ka qenë korrekte dhe nuk ka patur pretendime.”
Se çfarë dijenie duhet të ketë një pronar lokali bashkë me stafin e tij, për një person që largohet nga lokali, unë këtë nuk e marr vesh. Me këtë kthim-përgjigjeje të policisë, ku ndryshohet akuza nga përdhunim në zhdukje personi, policia del e larë, sepse nuk e ka shkelur ligjin 272 për njoftim të rremë dhe na ka sqaruar me gjuhën e saj të drunjtë dhe përgjigjet shabllon. Sa me kuptim i keni thënë këto fjalët pa kuptim”. /tvklan.al