Komisioni i posaçëm parlamentar që po heton vendimet e Presidentit Ilir Meta pritet ta thërrasë këtë të fundit në datën 6 shtator, në mënyrë që ai të japë versionin e tij për dekretet e zgjedhjeve.
Mbledhja zyrtare e anëtarëve të komisionit do të mbahet të martën, por A2 ka mësuar se tashmë data është përcaktuar. Sipas rregullores së Kuvendit dhe ligjit për komisionet hetimore, Presidenti i Republikës është i detyruar të paraqitet në një seancë kur të thirret nga Kuvendi. Nëse ai nuk pranon të marrë pjesë, atëherë mund të thirret me forcë.
Ekspertët e Venecias do të vijnë në Tiranë në datat 9-11 shtator, ku do të takojnë, krahas Presidentit, edhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegjit Zgjedhor, anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, dhe anëtarët e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës.