Ditën e djeshme u publikua në media një urdhër i brendshëm i Partisë Demokratike që kupola drejtuese ua dërgonte strukturave të saj.
Në këtë urdhër udhëzoheshin të gjithë anëtarët për sjelljen që duhet të kishin me median dhe deklaratat që duhet të përcillnin.
Memo udhëzuese e Partisë Demokratike u dërgua me anë të e-mailit ku të gjithë porositeshin në lidhje me strategjinë e komunikimit që duhej të ndiqej.
E-maili përmendte emra gazetarësh dhe mediash, që sipas selisë blu, përdoren nga kryeministri dhe qeveria si mercenarë politikë për të sulmuar opozitën. Emrat e përdorur si kundërshtar të PD, ishin, Mero Baze, botues i TemA, Skëndër Minxhozi, botues i Java Neës dhe Sokoll Balla, botues i Real Story.
Të tre gazetarët i janë përgjigjur PD për këtë e-mail, që i shpallte ata armiq. Për Real Story të tre gazetarët kanë dhënë përgjignen e tyre. E ndërsa Baze dhe Minxhozi e kanë quajtur një turp të Bashës këtë dokument, Sokol Balla është përgjigjur me heshtje. Mero Baze u shpreh se ‘Letra e Bashës është si qarkoret e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës’, që dikur informonin partinë për ‘armiqtë e tyre’. Megjithatë, Mero Baze shprehet se kjo ‘nuk i dëmton’ mediat e përmendura, më shumë ‘dëmton ato që nuk janë përmendur.
“Letra e Bashës për strukturat e PD u ngjan ato qarkoreve të Komitetit Qendror dikur që informonin partinë për armiqtë e tyre. Nuk është se dëmton mediat që ka përmendur. Më shumë dëmton ato që nuk ka përmendur, pasi delgjitimon luftën e tyre shpeshë herë të drejt kundër qeverisë. Në një kohë që ka disa ditë që bëjnë zhurmë për të mbrojtur dy emisione që janë larguar nga një televizon drejt televizoneve të tjera, sulmon gjithë pjesën tjetër të shtypit duke i konsideruar armiq. Unë akoma nuk kam ndonjë fakt në dorë nëse Edi Rama është investuar ndaj largimit apo mbylljes ndonjë emisioni, dhe do të isha i lumtur ta kisha për ta botuar. Por ky dokument e çon dëm gjithë këtë zhurmë, se me sa shihet po të ngelesh në dorë të Lulit është shumë herë më zi”, shprehet Mero Baze.
Ndërkohë, drejtues i portalit “Javaneës.al”, Skënder Minxhozi, preferoi të mos e komentonte këtë qarkore, duke e quajtur një ‘çmenduri të Bashës”. “Po e shoh tani këtë lajmin dhe nuk dua të merrem. Nuk e meriton fare t`i shkon pas çmendurive të tij”, tha Minxhozi i pyetur nga Realstory.al.
Ndërkohë, vetë drejtuesi i Realstory.al dhe emisionit Real Story, gazetari dhe analisti Sokol Balla, i pyetur rreth kësaj qarkoreje, u shpreh se ‘ajo më kujton një mbledhje të PD të vitit 1995, ku kryetari i FRPD, i shpalli mediat mike dhe armike’. “Meqë dikur kam qenë në PD, kjo letër më kujton një mbledhje të prillit të vitit 1995, kur një kryetar i FRPD-së, i ndau mediat në mike dhe armike. Dhe atëherë dukej sikur kishte më shumë armiq sesa miq, njëlloj si sot. Çka nuk ishte njësoj ishte se atëherë PD ishte në pushtet dhe shumë e fortë. Unë pata propozuar që PD dhe qeveria të kishin marrëdhënie miqësore me të gjithë, meqë “hapësirën që le ti bosh, e zë kundërshtari yt”, shprehet Balla.
Ndërsa më tej, Sokol Balla tregon se nuk mbetet i befasuar nga ky qëndrim, pasi kupton se si në kohën kur Berisha ishte në pushtet e quante ‘opozitar’ edhe sot Basha në opozitë e quan ‘opozitar”. “Ajo që duket nga kjo letër është se mentaliteti në raport me mediat nuk ka ndryshuar. Për tetë vjet Sali Berisha më pat quajtur “Opozitar Kryesor” së bashku me TV ku punoja dhe emisionin tim. Pas 6 vjetësh e gjysmë e tha me zë të lartë dhe Luli. Nuk kam asnjë zhgënjim dhe asnjë vrasje në ndërgjegje. Partitë bëjnë detyrën e tyre, ne tonën. Ato gabojnë, ne fitojmë lexues, ata bojkotojnë, ne fitojmë shikues. Krerët e tyre ikin një ditë, ne gazetarët këtu jemi. Basha dhe PD e kanë të hapur derën e RealStory? Megjithëse i mbyllën vetes çdo derë tejtër. Po nuk ka më fair-play me pyetjet, por tashmë me përgjigjet”, e përfundon komentin e tij, Sokol Balla.