Kanë kaluar dy vite që nga dita kur Fadil Kasemi ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildez Hafizi.
Motra e të ndjerës kujton ende me dhimbje këtë fakt, teksa bën dhe një dedikim prekës për gjyqtaren.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Armela Hasanaj shkruan se jeton ende me kujtimin e motres së ndjerë dhe se nuk e harron në asnjë moment.
“Nuk më besohet që kanë kaluar dy vite pa ty. Ndihem e mpirë. Për mua koha ka ndaluar në këtë ditë. Jetoj me ty në mendje, zemër e shpirt. Nuk të harroj në asnjë çast të jetës sime e sot dua që të të kujtojnë edhe të tjerët. Je dashuria e jetës sime dhe të dua në përjetësi,”- shkruan Amela krahas një fotoje ku shihet me gjyqtaren e ndjerë Fildez Hafizin.
Hafizi u vra në makinë nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi më 31 gusht të vitit 2017. Gjyqtarja e ndjerë u qëllua me tre plumba nga babai i tre fëmijëve të saj, teksa sapo kishte dalë nga qendra estetike në rrugën “Hoxha Tahsim”.
Hetimi gjyqësor ndaj Kasemit përfundoi pas 24 seancash dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Vrasja e gjyqtares zbuloi edhe disa skandale të drejtësisë, pasi përpara 4 viteve, Kasemi kishte tentuar ta vriste edhe njëherë tjetër Fildezen. Në atë kohë krimi u ndalua nga fëmijët dhe gjykata e dënoi vetëm për armëmbajtje pa leje dhe plagosje të lehtë, por jo për tentativë vrasje.
Për fëmijët e mitur kujdeset tezja e tyre, Amela.