Policia e Fierit ka parandaluar një vrasje në fshatin Baltëz.
Mësohet se shtetasi me iniciale D.V, 20 vjeç, është arrestuar në flagrancë pasi po tentonte të vriste me kallashnikov 53-vjeçarin F.T, pas një sherri për motive banale.
I acaruar nga debati me 53-vjeçarin, D.V. ka rrëmbyer armën dhe është kthyer për të goditur shtetasin F.T., por çdo gjë u parandalua në çastin e duhur nga policia.
Efektivët e rendit kanë neutralizuar agresorin në kohë duke i sekuestruar automatikun me 30 fishekë.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Patrulla e Policisë parandalon një ngjarje kriminale
Tenton të vrasë me armë zjarri automatik një shtetas, vihet në pranga nga policia autori.
Pas marrjes së telefonatës në numrin unik 112 se në fshatin Baltëz kishte konflikt me armë midis dy personave, menjëherë Patrulla e Policisë ka shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë ka bërë parandalimin e një vrasjeje të mundshme.
Shtetasi D.V., 20 vjeç, banues në Baltëz, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri automatik shtetasin F.T., 53 vjeç.
Policia ka bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D.V., për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe 1 krëhër me 30 fishekë.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale.