Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një letër porosi autoriteteve greke për të dhënë të gjithë informacionet e mundshme mbi Agim Kajmakun.
Mësohet se letërporosia është dërguar ditën e premte ku prokuroria i kërkon Kajmakut të depozitojë gjurmët e gishtërinjve.
Agim Kajmaku, i zgjedhur kryebashkiaku i Vorës në votimin e 30 Qershorit, ka jetuar dhe punuar në Greqi për disa vite me emrin e ndryshuar Jorgo Toro.
Partia Demokratike ka ngritur disa akuza ndaj tij, si një person në politikë, që ka qënë i dënuar në Greqi dhe se i ka fshehur të dhënat e detyrueshme për t’u paraqitur, në formularin e dekriminalizimit.
Më 22 gusht 2019, PD i kërkoi Prokurorisë verifikimin e Agim Kajmakut të Vorës. Kërkesa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, u bë në kushtet kur ekzistojnë të dhëna, të bëra publike më parë, se Agim Kajmaku ishte subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit dhe nuk mund të ushtrojë funksion publik.
“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke. “Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut, që mban.
“Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që të arrihet qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve.”- thuhej në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.