As agresiviteti i Donald Trumpit, as kërcënimet e Kinës apo një Brexit pa marrëveshje nuk e rrezikojnë ekonominë gjermane dhe prosperitetin ekonomik, sa impulsi i dobët i investimeve, thekson Thomas Straubhaar.
Shqetësimet, nëse dhe kur ekonomia gjermane po futet në recesion nuk po na lenë të flasim për rreziqet e arsyet që e vënë më shumë në pikëpyetje mirëqenien. Që nga koha e krizës financiare në vitin 2008 dhe menjëherë rënien ekonomike që pasoi në këtë vend investohet shumë pak. Nëse në vitin 1991 investimet përbënin 10% të prodhimit të brendshëm bruto, në vitin 2008 ishin 8%, kurse momentalisht ato arrijnë vetëm 6-7% të prodhimit të brendshëm bruto.
Se sa dramatike është në plan afatgjatë tempi i ngadalë i investimeve në të ardhmen e ekonomisë gjermane, kjo lexohet në produktivitetin e punës. Ai është pasqyra e investimeve, sepse mat vlerën e krijuar mesatarisht për fuqi punëtore apo për orë pune. Aty duket qartë, nëse punëtorët, themelet e ndërtimit i hapin me dorë, lopata apo me eskavatorë e pajisje të rënda, tjetra – nëse të dhënat përpunohen me dorë, makina llogaritëse, apo përmblidhen e përpunohen nga algoritme komplekse, lazeri apo inteligjenca artificiale.
Sa më shumë kompjutera dhe robotë vihen në punë, aq më i lartë është produktiviteti, edhe sepse me automatët e rinj përparon procesi teknik i prodhimit. Sa më me eficience dhe efektivitet të prodhohet, aq më atraktive bëhen ofertat, aq më të larta xhirot e prodhimit, dhe aq më shumë e ardhur mbetet në fund, që mund të shpërndahet tek puna, kapitali, pra njerëzit dhe makineritë.
Ngadalësi në produktivitetin e punës
Produktiviteti i punës për orë në Gjermani u rrit në fazat e rritjes ekonomike në pjesën e dytë të viteve 70-të – realisht (pra llogaritja e pastër) me 3,4% në vit. Në vitet 80-të me 3,0%, në vitet 90-të afër 2,2% dhe në vitet 2000 deri në fillim të 2008-s me 1,4%. Ndërkohë në dekadën e fundit – nga mesi i viteve 2009 deri në mesin e vitit 2018, fazë e rritjes ekonomike ky produktivitet u rrit me 1,1%.
Kjo zvarritje në produktivitetin e punës si pasojë e investimeve të pakta dhe me këtë edhe ngadalësim të risive, do të ketë pasojat e saj dhe do ta vërë në pikëpyetje më shumë se çdo gjë tjetër prosperitetin ekonomik të Gjermanisë – më shumë se agresiviteti i Trumpit, kërcënimet e Kinës dhe një Brexit pa marrëveshje. Sepse rritja e produktivitetit të punës është baza nga rrjedh rritja e rrogave.
E këtu ka një rregull të thjeshtë: Akvititeti ulët i investimeve sot – të çon nesër në progres të pakët në produktivitetin e punës, gjë që i bën rrogat të mos lëvizin nga niveli që kanë, ose të rriten ngadalë, më ngadalë se në vendet, ku standard është blerja pa para në dorë, ku standard është zyra pa letra e pa sekretari, ku software-t robotikë bëjnë përpunimin e të dhënave për sigurimet, ku inteligjenca artificiale ndihmon në diagnostifikimin mjekësor dhe vlerësimin e pamjeve të grafive.
Ka një sërë arsyesh për aktivitetin e ulët të investimeve dhe progresin e dobët të produktivitetit të punës. Por një aspekt meriton vëmendje të veçantë, sepse ka për të luajtur rol të rëndësishëm për përmirësimin në të ardhmen.
Reformat e ndihmës sociale (Hartz IV) patën efekte anësore
Agenda 2010 që filloi nga mesi i dekadës së kaluar nën kancelarin e atëhershëm, Gerhard Schröder dhe qeverinë socialdemokrate me Të Gjelbrit dhe reformat e tregut të punës që morën emrin e Peter Hartz kishin si synim të fusnin në tregun e punës sa më shumë vetë. Presioni ndaj atyre pa punë u rrit, pra që të punonin edhe në punë të paguara keq. Si rezultat në Gjermani u rrit punësimi. Papunësia ra nga 5 milionë në fillim të vitti 2005 në aktualisht 2,275 milionë vetë në verën e vitit 2019 – një sukses i madh.
Por suksesi i punësimit në Gjermani pati një efekt anësor. Ai u bazua në rroga të ulta për punëmarrësit si shpërblim për krijimin e ruajtjen e vendeve të punës. Por nëse për firmat fuqia punëtore bëhet e lirë, mungon motivimi në kuptimin ekonomik për të investuar në makineri, robotë dhe teknologji të reja digjitale. Pse të investosh në automatë të shtrenjtë, kur puna është e lirë? Pasoja – Gjermania nuk pati hov modernizimi.
Pra, u punësuan njerëz, por nuk u vunë në përdorim makineri. Kështu ende në këtë vend shumë punë kryhen me dorë dhe nga fuqia punëtore e jo nga robotët dhe automatët – gjë që është e mundur dhe një gjë e zakonte në ekonomitë mjaft të zhvilluara. Shumë më tepër se në Gjermani, në vende të tjera futen në përdorim software dhe algoritme në përllogaritjen e rrogave, në llogaritë e biznesit, në logjistikë, në financa e sigurime, e tek blerja shitësit apo mjekët tek përcaktimi i diagnozës janë bërë të tepërt.
Si në RDGJ?
Ajo që ishte tipike për RDGJ, punësimi i plotë e garantim e vendit të punës përballë një produktiviteti të ulët të punës, rrogave të ulta e mirëqenies së përgjithshme të dobët – e kërcënon Republikën Federale të Gjermanisë në epokën e digjitalizimit dhe ekonomisë database, – nëse ky vend ende u mbetet dogmave të vjetëruara të shoqërisë industriale. Në të ardhmen do të bëhet fjalë për produktivitet e jo për punësim masiv me çdo çmim. Një strategji e bazuar në ruajtjen e vendeve të punës, sepse fuqia punëtore është e lirë, gjë që robotët dhe inteligjenca artificiale do ta bënin më mirë e më lirë 24 orë në ditë/7 ditë të javës është e destinuar të dështojë.
Aftësia konkurruese dhe mirëqenia në plan afatgjatë do të sigurohen vetëm me më shumë investime (edhe në arsim e shkencë) dhe me këtë edhe me më shumë inovacion dhe një produktivitet më të lartë të punës. Politika e tregut të punës në të ardhmen duhet të jetë – të punohet më pak, por më mirë, më me motivim dhe më të shëndetshëm e të balancuar e produktivë se sot. Vetëm kështu do të mund të paguhen ato rroga të larta, që mundësojnë një standard më të lartë jetese për brezat e ardhshëm.
Ky koment u publikua për herë të parë në Welt.de
Deutsche Welle