Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në autostradën Tiranë-Elbasan pasi një autobuz i tifozëve të Partizanit është djegur nga flakët.
Ata po ktheheshin në Tiranë pas fitores kundër Kukësit në Superkupën e Shqipërisë 4-2, ndeshje e luajtur në stadiumin “Elbasan-Arena.”
Ngjarja është regjistruar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme ku mësohet se në autobus kishte edhe 30 pasagjerë
Për fat të mirë nuk ka patur persona të lënduar por vetëm moment paniku kur tifozët kanë parë që pjesa e mbrapme e autobuzit po merrte flakë.
Shkak për këtë është bërë një defekt teknik.
Tifozët kanë zbritur nga autobuzi dhe udhëtimi drejt Tiranës u bë i mundur me mjete të tjera.
Zjarrfikësja ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka vënë në kontroll flakët e zjarrit, por automjeti është shkrumbuar totalisht.